Punëtori mbi standardet evropiane të kritereve të pranueshmërisë së kërkesave

10.07.2019

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë organizuan punëtorinë e përbashkët në temën: “Standardet Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi Kriteret e Pranueshmërisë”, e cila u mbajt në “Hotel Emerald”, të martën, më 9 korrik 2019.

E drejta e individëve për të parashtruar kërkesë në gjykatat kushtetuese, papranueshmëria e kërkesave në lidhje me juridiksionin e gjykatës dhe kriteret e pranueshmërisë së kërkesave të zbatuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ishin vetëm disa prej temave që u diskutuan në këtë punëtori.

Folës kryesor në punëtorinë e mbajtur ishin: z. Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Manuela Brillat, profesoreshë e të drejtave të njeriut në Universitetin e Strasburgut dhe znj. Heidi Lempio, ish-zyrtare e EULEX-it për të drejta të njeriut dhe çështje juridike. Punëtoria e mbajtur shënon aktivitetin e radhës në kuadër të projektit të mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, që synon avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim të zbatimit më efektiv të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun.