Njoftim për medie

27.01.2010

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në datat 28-30 janar 2010, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryetari i kësaj Gjykate Prof.dr.Enver Hasani, në përbërje të të cilit delegacion janë edhe zëvendëskryetari, Mr. sc. Kadri Kryeziu, gjyqtarët, Prof.dr.Ivan Čukalović, Prof.dr.Iliriana Islami dhe Dr.Altay Suroy, si dhe Sekretarja e Përgjithshme Mr.sc.Arbëresha Raça-Shala, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë, të parën e këtij lloji në historikun e bashkëpunimit midis këtyre dy Gjykatave.

Dita e parë e takimeve sipas agjendës së paraparë, do të fillojë me pritjen që Kryetari Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo bashkë me stafin tij do të organizojë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ndërkaq, në ditën e dytë të vizitës, të premten më 29 janar, delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do t’i organizohet pritje e veçantë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHTZ Bamir Topi, nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, si dhe nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Beçaj.