Nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë vizituan Gjykatën

30.11.2018

Një grup nxënësish të shkollës fillore “Faik Konica” të Prishtinës vizituan Gjykatën Kushtetuese, të premten, më 30 nëntor 2018.

Nxënësit u pritën në takim nga këshilltari i Parë juridik i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati, dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, z. Veton Dula.

Gjatë bashkëbisedimit me filloristë, këshilltari Kastrati fillimisht bëri një prezantim të shkurtër rreth historikut të themelimit të Gjykatës Kushtetuese, duke folur në vazhdim përkitazi me përbërjen, funksionin dhe mandatin që ka ky institucion në bazë të Kushtetutës.

Si bëhet parashtrimi i kërkesave dhe kush janë palët e autorizuara për të parashtruar kërkesë në bazë të Kushtetutës, procesi i regjistrimit dhe i shqyrtimit të lëndëve, si dhe mënyra e vendosjes së rasteve në Gjykatë, ishin vetëm disa prej temave për të cilat nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica” u informuan në takim.

Vizita e nxënësve është realizuar me qëllim të vetëdijesimit të tyre dhe të njohjes më për së afërmi me punën dhe me mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.