Njoftim për medie

21.12.2017

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës organizuan punëtorinë e përbashkët në temën: “Roli dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Raporti me gjykatat e rregullta dhe institucionet tjera. Kërkesat sipas Nenit 113.7 dhe Nenit 113.8 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës”, e cila u mbajt në Gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese, të mërkurën, më 20 dhjetor 2017.

Punëtoria pati për qëllim njoftimin e gjyqtarëve të rinj të gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës, me rolin dhe me kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese në raport me gjyqësorin e rregullt, si dhe me nivelet e tjera të pushtetit, për të cilat ata u njoftuan më për së afërmi nga këshilltari i parë juridik i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati, dhe këshilltarja juridike, znj. Arbana Beqiri-Plakolli.

Gjatë punëtorisë së mbajtur, këshilltarët juridikë Kastrati dhe Beqiri-Plakolli i njoftuan gjyqtarët e rinj më hollësisht edhe me procesin e punës në Gjykatën Kushtetuese, me pranimin dhe me procedimin e kërkesave të parashtruara nga palët, me kriteret e pranueshmërisë së kërkesave të parashtruara, si dhe me procesin e marrjes së vendimeve nga gjyqtarët.

Në fokus të prezantimit të tyre ishte në veçanti shqyrtimi i vendimeve të autoriteteve publike në raport me Kapitullin II të Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese, si dhe shqyrtimi i akteve të kontestuara në raport me Kushtetutën nga gjykatat e rregullta.

Një prezantim të shkurtër mbi marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias, pranimin e kërkesave me pyetje të gjykatave kushtetuese dhe të gjykatave supreme të shteteve anëtare nëpërmjet Forumit të Komisionit të Venecias, si dhe parashtrimin e kërkesave nga Gjykata në këtë forum, e bëri edhe z. Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim dhe njëherësh Zyrtar Ndërlidhës i Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias.