Njoftim për medie

25.07.2017

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Prishtinë, z. Miljan Majhen, të martën, më 25 korrik 2017.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi ambasadorin Majhen për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për kontributin e dhënë në thellimin e marrëdhënieve reciproke ndërmjet dy vendeve. 

Ajo vlerësoi lart përkrahjen që ka ofruar Republika e Sllovenisë në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, si dhe në anëtarësimin e vendit tonë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Kryetarja Rama-Hajrizi në vijim vuri theksin edhe në marrëdhëniet e bashkëpunimit të shkëlqyer me Gjykatën Kushtetuese të Sllovenisë, duke shprehur bindjen se ato do të intensifikohen edhe më tej nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave.

Ambasadori Majhen vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe u shpreh i sigurt se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy shteteve, si dhe i gjykatave kushtetuese të të dyja vendeve, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.