Njoftim për medie

08.06.2010

Duke ndjekur interesimin që shkaktoi Aktgjykimi i nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese më 18 mars 2010 në rastin Qemajl Kurtishi kundër kuvendit komunal të Prizrenit lidhur me emblemën e miratuar nga komuna, Gjykata dëshiron t’ua tërheqë vëmendjen publikut dhe medieve lidhur me përmbajtjen e Aktgjykimit. Rasti kishte të bënte me interpretimin nga Gjykata të natyrës shumetnike të Republikës së Kosovës të mbrojtur në Kushtetutë.

Në pjesën operative të Aktgjykimit të vet, Gjykata:

•    Gjeti se kishte pasur shkelje të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Prizren për ta ruajtur, mbrojtur dhe promovuar identitetin e tyre;
•    Vendosi që neni 7 i Statusit të komunës së Prizrenit nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 3, nenin 7.1, nenin 58, dhe nenin 59;
•    Urdhëroi komunën e Prizrenit që, brenda një periudhe prej tre muajsh nga dorëzimi i këtij Aktgjykimi, ta ndryshonte Statutin dhe emblemën e saj në mënyrë që ta sillte atë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe të mos i përjashtonte komunitetet jo-shumicë.

Gjykata theksoi se shqiptarët dhe komunitetet e tjera duhet të jenë në gjendje që njëlloj ta ruajnë traditën, kulturën dhe identitetin e tyre përmes simboleve përkatëse. Z. Kurteshi kurrë nuk e kundërshtoi imazhin e Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit dhe vërtet Gjykata kurrë nuk ka thënë që imazhi i Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit ishte objekt i diskutimit. Gjykata gjithashtu shprehu mendimin se propozimi i z. Kurteshi për t’i pasur fjalët “Komuna”, “Opstina” dhe “Belediye” brenda rrethit të emblemës ishte i arsyeshëm. Komuna e Prizrenit është e lirë ta miratojë cilëndo emblemë që dëshiron, me kusht që të jetë në përputhje me parimet e përcaktuara në këtë Aktgjykim. Gjykata ka besim të plotë se komuna e Prizrenit do të pajtohet me Aktgjykimin e Gjykatës.

Teksti i plotë i Aktgjykimit gjendet në ueb faqen e Gjykatës, http://www.gjk-ks.org dhe u rekomandohet palëve të interesuara ta shikojnë Aktgjykimin e plotë në këto adresa: http://www.gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/ko_01_09_vendimi_al.pdf,
http://www.gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/ko_01-09_sr.pdf dhe
http://www.gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/ko_01_09_Ven_ang.pdf