Njoftim për medie

18.03.2010

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Prof. Dr. Enver Hasani, priti sot në një takim zyrtar në ambientet gjykatës, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë z. Andy Sparkes, dhe udhëheqësin e Zyrës së DFID-it në Kosovë, z. Robert Watt.
Biseda u fokusua në çështje të funksionimit të sistemit të drejtësisë, fenomenit të korrupsionit në gjyqësor, për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimmarrjen e saj, si dhe për çështje të tjera të sundimit të së drejtës dhe shtetit ligjor në vendin tonë.
Kryetari Hasani i njoftoi bashkëbiseduesit me sfidat me të cilat ballafaqohet Gjykata Kushtetuese, si institucion i ri në vendin tonë, gjithashtu edhe për faktin se Gjykatës Kushtetuese, kanë filluar t’i drejtohen edhe komunitetet joshumicë, përkatësisht, serbët,fakt i cili tregon se ekziston paanshmëri dhe profesionalizëm në punën e Gjykatës.
Gjithashtu Kryetari Hasani falënderoi Qeverinë britanike, Zyrën e DFID-it për ndihmën e vazhdueshme lidhur me ngritjen e kapaciteteve të Gjykatës.
Nga ana tjetër, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar z. Sparkes dhe udhëheqësi i DFID-së z. Watt siguruan Kryetarin Hasani se do ta gëzojnë ndihmën e pakursyer të institucioneve të tyre lidhur me ngritjen e kapaciteteve të vazhdueshme të Gjykatës drejt një funksionimi sa më cilësor dhe në pajtim me misionin që ka Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës.