Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim gjyqtarin australian me prejardhje shqiptare

05.03.2019

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim gjyqtarin me prejardhje shqiptare të Gjykatës Rajonale të Australisë Jugore me seli në Adelaide, z. Rauf Soulio, i cili njëherësh shërben edhe si Konsull nderi i Republikës së Kosovës dhe i Republikës së Shqipërisë në Australi.

Sistemi gjyqësor dhe kushtetues në Republikën e Kosovës, roli dhe funksioni që ka Gjykata Kushtetuese në vend, si dhe sfidat në vendimmarrjen e saj, ishin ndër temat që u diskutuan në takimin e përbashkët.

Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim i bëri një përshkrim të shkurtër edhe historikut të formimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast vuri theksin në rolin me rëndësi që kanë pasur partnerët ndërkombëtarë në funksionalizimin e saj, si dhe në kontributin e çmuar të ish-gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës në themelimin e praktikës gjyqësore sipas standardeve evropiane të gjyqësisë kushtetuese.

Gjyqtari Soulio, pasi që falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen, shprehu gatishmërinë e tij për vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nëpërmjet shkëmbimit të përvojave profesionale dhe realizimit të vizitave studimore të studentëve shqiptaro-australian në lëmin e drejtësisë.