Kryetarja Rama-Hajrizi pjesëmarrëse në Seminarin e 4-të ndërkombëtar për gjyqtarë në Izrael

15.10.2018

Me ftesë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, ka udhëtuar në qytetin izraelit Haifa, të dielën, më 14 tetor 2018.

Ajo është ftuar për të marrë pjesë në Seminarin e 4-të ndërkombëtarë për gjyqtarë, në temën: “Roli vendimtar i gjyqësorit në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore”, që do të mbahet në Haifa, më 14-18 tetor 2018.

Kryetarja Rama-Hajrizi është edhe njëra ndër panelistët kryesor të seminarit, me ç’rast do të mbajë një prezantim në temën: “Roli i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e viktimave nga trafiku i qenieve njerëzore”.

Seminari i 4-të ndërkombëtarë për gjyqtarë, që organizohet nga Agjencia Izraelite për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (MASHAV), në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krime (UNODC), Ministrinë e Drejtësisë të Izraelit dhe Institutin Izraelit për Studime të Avancuara Juridike, mbledh çdo vit gjyqtarë dhe kryetarë të gjykatave nga të gjitha vendet e botës, me qëllim për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira për forcimin e sundimit të ligjit.