Kryetarja Rama-Hajrizi me fjalim rasti në takimin vjetor të gjyqtarëve dhe prokurorëve

20.12.2019

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, mori pjesë në takimin vjetor të Forumit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Kosovës, i cili këtë vit u organizua në “Hotel Emerald” në Prishtinë, me përkrahjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Në fjalimin e mbajtur para përfaqësuesve të prokurorisë dhe gjyqësorit të rregullt, si dhe diplomatëve të akredituar në vend, kryetarja Rama-Hajrizi, kryesisht diskutoi mbi mundësitë që prokurorët dhe gjykatat e rregullta i kanë në dispozicion për të shmangur shkeljen e të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht uljen e numrit të ankesave të individëve me pretendimet për shkelje të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese.

Ndër të tjera, kryetarja Rama-Hajrizi tha se, “ndonëse Kushtetuta e ka caktuar Gjykatën Kushtetuese si autoritetin përfundimtar për interpretimin final të Kushtetutës, autoritetet e tjera publike, përfshirë prokurorinë dhe gjyqësorin e rregullt, janë padyshim në linjën e parë të mbrojtjes së Kushtetutës”. Sipas saj, “Gjykata Kushtetuese i shpall si të papranueshme mbi 90 për qind të kërkesave të parashtruesve, ku kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së një vendimi të gjykatave të rregullta. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese konfirmon kushtetutshmërinë e vendimeve të gjykatave të rregullta në mbi 90 për qind të rasteve”.

Në përmbyllje të fjalës, kryetarja Rama-Hajrizi pohoi se, arsyetimi i gjerë i aktakuzës dhe mbështetja e saj me prova e dëshmi nga prokuroria, si dhe arsyetimi i bazuar i vendimeve gjyqësore në raport me pretendimet ankimore të palëve, paraqesin garancën më të sigurt për evitimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut në një proces gjyqësor.