Prof.dr.ass. Kadri Kryeziu

Gjyqtar

Prof.dr.ass. Kadri Kryeziu (1958) është ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe doktor i shkencave juridike.

Ish-gjyqtari Kryeziu ka një përvojë të gjatë në angazhimet e tij shoqërore dhe politike, dhe njëherësh është edhe njëri prej organizatorëve të demonstratave studentore në Prishtinë, në mars të vitit 1981. Në çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ai ishte i angazhuar edhe në KMLDNJ-së, si kryetar për Prizren, në vitet 1990-1995.

Në angazhimet e tij politike, ish-gjyqtari Kryeziu ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Parlamentare të Kosovës (1991-2002), si dhe anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (2000-2009). Pas përfundimit të luftës, më 1999, ai ishte kryetar i Kuvendit Komunal të Prizrenit, post të cilin e mbajti deri në fund të vitit 2000. Po kështu, në vitet 2000-2004, ai ka qenë edhe këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit. Gjatë vitit 2004, ish-gjyqtari Kryeziy ka kryer detyrën e kryeinspektorit të mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkaq postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë e ka mbajtur në një mandat të plotë qeveritar (dhjetor 2004 – janar 2008).

Në periudhën 2007 – 2008, ish-gjyqtari Kryeziu ishte anëtar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe anëtar i Grupit Punues për Siguri, në bashkëpunim me KFOR-in, UNMIK-un, ICO-në, OSBE-në, EUPT-in dhe UN/AUS-in. Ish-gjyqtari Kadri Kryeziu ka një përvojë të shkëlqyer edhe në procesin e arsimit: ka qenë profesor i lëndës, “E drejta kushtetuese”, në Gjimnazin e Prizrenit (1996-2004). Ndërkaq, nga viti 2005 dhe aktualisht, është ligjërues i lëndës “E drejta kushtetuese” në Universitetin “Iliria” të Prishtinës. Gjithashtu, ai është profesor në Universitetin e Prizrenit nga viti akademik 2010-2011, ligjërues i së “Drejtës  kushtetuese”, “Hyrje në teorinë e së drejtës”, “Fillet e së drejtës” dhe “E Drejta administrative”.

Ish-gjyqtari Kryeziu ka botuar edhe tri libra në lëmin e drejtësisë: “E drejta e zgjedhjes si e drejtë politike dhe fundamentale e qytetarit” (2004), “E drejta e zgjedhjes” (2007) dhe “Prizreni qytet-shtet, prefekturë, komunë”(2013). Po kështu, në dorëshkrim ka tri libra të tjera: “Lindja e pluripartizmit në Kosovë 1989-1998”, “Fillet e së drejtës” dhe “E drejta e krahasuar kushtetuese”, si dhe ka mbi 100 artikuj shkencor të botuar në revista të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai ka botuar këto punime në revistat ndërkombëtare:

1. “INTER-ETHNIC RECONCILIATION, RELIGIOUS TOLERANCE AND HUMAN SECURITY IN THE BALKANS” – Proceedings of the Third ECPD International Permanent Study Group Meeting, Prizren 16-17 June 2007, ISBN 978-86-7236-054-7 – Kadri Kryeziu: “BASIC FREEDOMS AND HUMAN RIGHTS OF NATIONAL MINORITIES IN KOSOVO”
2. “NATIONAL AND INTER-ETHNIC RECONCILIATION, RELIGIOUS TOLERANCE AND HUMAN SECURITY IN THE BALKANS” – Human Security Concept Implementation – Proceedings of the Sixth ECPD International Conference, Brioni Island, Croatia, 28-29 October 2010 – Kadri Kryeziu: “FUNDAMENTAL RIGHTS AND FREEDOMS OF THE MINORITIES FROM THE POINT OF VIEW OF THE CONSTITUTIONAL COURT OF KOSOVO”
3. REVISTA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “ILIRIA”, Prishtinë , shkurt 2009, Kadri Kryeziu: “Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe perspektiva e marrëdhënieve SHBA-Kosovë”, K.D.U.324(73) 327 (73:496.51)
4. REVISTA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “ILIRIA”, Prishtinë, shkurt 2010, Kadri Kryeziu: “Pluripartizmi dhe demokratizimi”, KDU 329.1/.6

Krahas gjuhës amtare shqipe, ish-gjyqtari Kryeziu flet edhe gjuhën serbo-kroate, frenge dhe angleze.