Gresa Caka-Nimani

Kryetare

Gresa Caka-Nimani është zgjedhur Kryetare e Gjykatës Kushtetuese stë Republikës së Kosovës, më 17 maj 2021. Ajo është dekretuar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.

Deri në emërimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Gjatë shërbimit të saj në USAID, ndër të tjera, ajo ka qenë përgjegjëse për të këshilluar në hartimin e strategjive të USAID-it për mbështetje të zhvillimit të Kosovës dhe për dhënien e këshillave ligjore e hartimin e komentarëve dhe opinioneve rreth ligjeve të aplikueshme dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Përgjatë kësaj periudhe, ajo ka qenë gjithashtu përgjegjëse për menaxhimin e portfolios së programeve të sundimit të ligjit, përfshirë fushat që ndërlidhen me pavarësinë, profesionalizmin, efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqësorit; të drejtën komerciale; reformimin e sistemit pronësor, si dhe zhvillimin e mekanizmave për zgjidhjen alternative të kontesteve. Në ushtrimin e detyrave, ajo i ka kushtuar rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe politikave të gjithëpërfshirjes.

Gresa Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit. Gjatë viteve 2006-2008, ajo ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues dhe më pas, Komisionin Kushtetues përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për kontributin e dhënë në këtë proces, ajo është vlerësuar me disa çmime dhe dekorata nga USAID në Kosovë, por edhe me disa Cmime të Merituara Nderi nga Departmenti Amerikan i Shtetit.

Studimet për drejtësi, Gresa Caka-Nimani i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007). Ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit, duke u fokusuar në ndërkombëtarizimin e kushtetutbërjës.

Kryetarja Caka-Nimani është gjithashtu bartëse e provimit të jurisprudencës dhe atij për përmbarues privat (2013). Ajo është e certifikuar në çështjet e drejtësisë dhe të qeverisjes, duke përfshirë Qendrën Federale Gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programet për lidership strategjik nga Instituti Federal Ekzekutiv Amerikan. Që nga viti 2017, ajo bashkëpunon me Institutin Ndërkombëtarë për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA), me seli në Hagë, dhe është autore e kapitullit “Kushtetuta e Pavarësisë së Kosovës: Përkushtimi i Njëanshëm për një Kushtetubërje të Ndërkombëtarizuar”, në kuadër të librit “Kushtetutbërësit për Kushtetutbërjën”, të edituar nga Tom Ginsburg, Universiteti i Chicago-s and Sumit Bisarya, International IDEA, publikuar nga Cambridge University Press në 2022. Kryetarja Caka-Nimani është gjithashtu pjesëmarrëse e shumë konferencave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, përfshirë si paneliste lidhur me “Kushtetutbërjën në Shoqëri pas Konflikteve” në Forumin Botërorë të Drejtësisë V (Hagë, Holandë 2017) dhe konferencën ndërkombëtare për “Gratë dhe Kushtetutat pas Konflikteve” të organizuar nga Universiteti William and Mary (Williamsburg, SHBA, 2018).

Gresa Caka-Nimani është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. White Memorial Award” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gresa Caka-Nimani është e martuar dhe ka dy vajza.