Roli dhe përgjegjësitë

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.

Roli dhe përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese janë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Përderisa gjykatat e niveleve të tjera merren me shqyrtimin e fakteve, me verifikimin e ligjshmërisë së krijimit dhe të marrjes së provave, Gjykata Kushtetuese merret vetëm me kontrollin kushtetues të procesit të rregullt gjyqësor.

Ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit të zbatueshëm nga të gjitha autoritetet publike në vend, ajo megjithatë nuk gëzon autoritetin e inicimit të shqyrtimit të rasteve vetvetiu.

Si edhe shumë gjykata të tjera homologe, Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë dhe të marrë vendim për një çështje specifike vetëm pas parashtrimit të kërkesës nga palët e autorizuara me Kushtetutë.

Sipas nenit 113, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe ato hyjnë në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, përveç nëse është përcaktuar ndryshe në vendim.