Ndërtesa e Gjykatës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, që nga funksionalizimi i saj më 2009, është e vendosur në ish-objektin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), që ndodhet në qendër të Prishtinës, në lagjen “Pejton”. Ky lokacion i ndërtesës së Gjykatës, në qendër të kryeqytetit, është simbol i qasjes së barabartë të të gjithë qytetarëve dhe të palëve të tjera të autorizuara në drejtësinë kushtetuese.

Ky objekt ndër vite është përshtatur për nevojat dhe për natyrën e punës së Gjykatës Kushtetuese. Kjo është bërë me ndihmën e donatorëve, siç është rasti me ndërtimin e Gjykatores së Gjykatës, që është financuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Turqisë në vitin 2010, themelimin e Bibliotekës së Gjykatës, që u mbështet në tërësi nga Projekti i GIZ-it për Reformë Ligjore, si dhe sigurimi i zyrave shtesë (kontejnerë), donacion ky nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Turqisë në vitin 2011.

Ndërtesa e Gjykatës ka një hapësirë të shfrytëzueshme për punë prej gjithsej 784 m2.