Gjykata Kushtetuese prezanton ueb-faqen e saj para studentëve të Fakultetit Juridik të UP

07.11.2019

Gjykata Kushtetuese do të bëjë prezantimin e veçorive kryesore të ueb-faqes së re të Gjykatës për studentët e nivelit bachelor të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, të premten, më 8 nëntor 2019, me fillim në ora 09:00.

Gjatë prezantimit të ueb-faqes, juristët e ardhshëm të Kosovës do të njihen më për së afërmi me kriteret e kërkimit të avancuar të përmbajtjes dhe të filtrimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë për studimet dhe hulumtimet e tyre universitare dhe pasuniversitare.

Prezantimi i ueb-faqes së Gjykatës Kushtetuese për studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” është mundësuar me përkrahjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë (JSSP) dhe do të bëhet nga Drejtori i Zyrës për Informim dhe Komunikim të Gjykatës, z. Veton Dula, si dhe këshilltari i lartë kushtetues – juridik i Gjykatës, z. Jeton Bytyqi.