Aktvendim

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. 397/2018, të 11 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 32/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI32/19 Parashtrues: Sylejman Januzi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 397/2018, të 11 dhjetorit 2018

KI32/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, i publikuar më 8 gusht 2019

Fjalët kyq: Kërkesë individuale, revizioni i palejuar, paga jubilare, kërkesë e papranueshme

Parashtrues i kërkesës është z. Sylejman Januzi, me vendbanim në fshatin Barilevë, komuna e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Ali Latifi, avokat nga Prishtina.

Parashtruesi i kërkesës kishte punuar si mësimdhënës prej 1 shtatorit 1974 deri më 19 nëntor 1984, ndërsa prej 20 nëntorit 1984 deri më 17 janar 2014 si bibliotekist në shkollën “Ali Kelmendi” në fshatin Barilevë, prej nga edhe ishte pensionuar.

Pas përfundimit të marrëdhënies së punës me Drejtorinë e Arsimit për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat  administrative dhe më pas ato gjyqësore në lidhje me kompensimin e pagave jubilare për përcjellje në pension. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit ia kishin refuzuar kërkesën si të pabazuar, kryesisht me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore për përfitimin e një të drejte të tillë dhe se Kontrata kolektive, së cilës i referohej parashtruesi i kërkesës, nuk ishte në fuqi në kohën e pensionimit të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës, duke u bazuar në nenin 211 të LPK-së, sipas së cilës revizioni nuk është i lejuar për kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk e kalon vlerën në të holla prej 3,000 eurosh.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, duke refuzuar kërkesën e tij për revizion si të palejuar, i ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 3, 4, 21, 22, 23, 24, 31, dhe 57 të Kushtetutës dhe të drejtën e garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së.

Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.

Gjykata vërejti se Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës si “të palejuar” në aspekt procedural dhe pa shqyrtuar meritat e kërkesës, duke u bazuar në dispozitat e LPK-së e sipas të cilave kërkesa për revizion duhet të shpallet e palejueshme në rastet kur vlera e kontestit është nën 3,000 euro. Gjykata në këtë drejtim vërejti  se arsyetimi i dhënë në Aktvendimin e Gjykatës Supreme ishte i qartë dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu gjeti që edhe procedurat para Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore nuk ishin të padrejta apo arbitrare.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Sylejman Januzi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile