Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi

Nr. të lëndës KO 45/18

Përmbledhje

KO45/18, Parashtrues: Glauk Konjufca dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi

 KO45/18, Aktgjykim i 18 prillit 2018, publikuar më 30 prill 2018

Fjalët kyç: kontroll abstrakt, kërkesë institucionale, marrëveshje ndërkombëtare, ratifikim, demarkacion, e pranueshme, ratione materiae.

Parashtruesit e kërkesës e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatë për vlerësim të  kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ata pretendojnë se procedura e ndjekur për miratim si dhe përmbajtja e Ligjit për Ratifikimin e Demarkacionit, janë në kundërshtim me nenet 1 [Përkufizimi i Shtetit], 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare], 125 [Parimet e Përgjithshme], 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës], 127 [Këshilli i Sigurisë i Kosovës], 128 [Policia e Kosovës] dhe 129 [Agjencia e Kosovës për Inteligjencë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata e ka deklaruar kërkesën të pranueshme për shkak se parashtruesit ishin palë të autorizuara sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, e kishin dorëzuar kërkesën brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh siç kërkohet me nenin 113.5 të Kushtetutës, dhe kishin respektuar kriteret e parapara me nenin 42 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, bazuar në praktikën e saj të themeluar gjyqësore, Gjykata rikujtoi se Ligji për Ratifikimin e Demarkacionit dhe Marrëveshja Ndërkombëtare për Demarkacionin janë dy akte të veçanta ligjore. Gjykata rikujtoi se është kompetente në bazë të Kushtetutës që ta vlerësojë “Ligjin” për pajtueshmërinë me Kushtetutën, si në substancën e tij, po ashtu edhe në procedurën e ndjekur për miratimin e tij. Megjithatë, Gjykata rikujtoi se nuk është kompetente që ta vlerësojë substancën e “Marrëveshjes Ndërkombëtare” për pajtueshmërinë me Kushtetutën.

Gjykata konstatoi njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës.

Parashtruesit:

Glauk Konjufca dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër