Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-17-0505, të 5 marsit 2018

Nr. të lëndës KI 62/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI62/18, Parashtrues: Nadlije Gojani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-17-0505, të 5 marsit 2018

KI62/18, Aktvendim për papranueshmëri i 27 shtatorit 2018, publikuar më 23 tetor 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kompensimi i pagave, qasja në drejtësi, taksa gjyqësore, kërkesa e qartazi e pa bazuar

Parashtruesja e kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë  kundër Sh. A. “Ereniku” nga Gjakova, duke kërkuar kompensimin e të ardhurave personale si pasojë e largimit të saj nga puna, nga 1 maji 1992. Kolegji i Specializuar, pas pranimit të rastit nga Gjykata Komunale, me Aktvendimin C-II.-13-0102-C0001, vendosi, ndër të tjera, që procedura në lidhje me lëndën e parashtrueses pezullohet pasi ndërmarrja shoqërore është në procedurë të likuidimit. Pas ankesës së parashtruar nga parashtruesja e kërkesës, Kolegji i Apelit, me Aktvendimin nr. AC-I-17-0505, konstatoi se ankesa e parashtrueses së kërkesës kundër Aktvendimit të Kolegjit të Specializuar (C-II.-13-0102-C0001) konsiderohet e tërhequr pasi parashtruesja e kërkesës nuk kishte paguar taksën gjyqësore.

Parashtruesja pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se asaj i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.  Më konkretisht, parashtruesja pretendoi se asaj i ishte mohuar e drejta për qasje në drejtësi si pjesë e të drejtës për një gjykim të drejtë për shkak të aplikimit të gabuar të legjislacionit nga Kolegji i Apelit, duke theksuar se kërkesa e Kolegjit të Apelit që në afat prej 15 ditësh të paguajë taksën gjyqësore në lidhje me ankesën e parashtruar në Kolegjin e Apelit është e paligjshme pasi gabimisht është interpretuar Udhëzimi Administrativ nr. 1/2017 për unifikimin e taksave gjyqësore i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat para Kolegjit të Apelit kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të saj të garantuara me Kushtetutë, në të cilat thirrej parashtruesja e kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtrueses ishte qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Nadlije Gojani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile