Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Cml. nr. 20/2017, të 30 nëntorit 2017

Nr. të lëndës KI 47/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI47/18, Parashtrues: Musa Grabanica, Isa Grabanica, Avdurrahmon Grabanica, Nazim Grabanica, Pajtim Grabanica dhe Labinot Grabanica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 20/2017, i 30 nëntorit 2017

KI47/18, Aktvendim i 23 tetorit 2018, publikuar më 6 nëntor 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Më 22 korrik 2016, N. G. kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore, përmes të cilës kishte kërkuar që të vërtetohet se parashtruesit e kërkesës e kanë penguar atë në shfrytëzimin e patundshmërisë. Gjykata Themelore e kishte aprovuar kërkesën e N. G., duke vërtetuar se parashtruesit e kërkesës e kanë penguar N. G. në shfrytëzimin e patundshmërisë. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesit kishin paraqitur ankesë ne Gjykatën e Apelit, duke propozuar anulimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe hudhjen poshtë të kërkesëpadisë së N.G. për shkak të litispedencës (gjyqvarësisë), duke arsyetuar se e njëjta çështje është në procedurë gjyqësore sipas padisë, të ushtruar nga Musa, Isa, Avdullah, Avdurrahmon dhe Nazim Grabanica [parashtrues të kërkesës] dhe J. G. më 17 tetor 2014.

Aktvendimin e Gjykatës Themelore e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Si rrjedhojë e propozimit të parashtruesve të kërkesës për ushtrimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e refuzoi si të pabazuar.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë; KEDNJ) dhe nenin 1 [Mbrojtja e Pronës] të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar pretendimeve të parashtruesve të kërkesës konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk ka paraqitur fakte dhe nuk i kanë mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tyre dhe si rrjedhojë e shpalli kërkesën  e parashtruesve si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Musa Grabanica, Isa Grabanica, Avdurrahmon Grabanica, Nazim Grabanica, Pajtim Grabanica dhe Labinot Grabanica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile