Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AA. nr. 52/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 25 nëntorit 2017 dhe Aktgjykimit A.A. U. ZH. nr. 62/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 7 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 48/18

Parashtruesit: Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës

Shkarko:

KI48/18, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit AA. nr. 52/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 25 nëntorit 2017 dhe Aktgjykimit A.A. U.ZH. nr. 62/2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 7 dhjetorit 2017

KI 48/18, parashtrues Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Aktgjykim i datës 23 janar 2019

Fjalët kyçe: kontest zgjedhor, zgjedhje lokale, kryetar komune, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, mbrojtja gjyqësore e të drejtave

Kërkesa KI48/18 u parashtrua nga z. Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Z. Arban Abrashi ishte kandidat për Kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe para kësaj Gjykate u paraqit në cilësinë e individit, përkatësisht personit fizik; ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti politik përmes të cilit z. Arban Abrashi garonte për Kryetar të Komunës së Prishtinës dhe para kësaj Gjykate u paraqit si subjekt politik, përkatësisht person juridik. Parashtruesit e kërkesës, në thelb, pretenduan se Gjykata Supreme, por edhe PZAP-i, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tyre, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe, për pasojë, vendimet e këtyre autoriteve publike, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tyre zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese e deklaroi kërkesën të pranueshme për shqyrtim në merita pasi konstatoi se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara; kontestojnë vendime të autoriteteve publike; kanë shteruar mjetet juridike siç është elaboruar në Aktgjykim; kanë saktësuar të drejtat dhe liritë themelore të cilat pretendojnë se janë shkelur; kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit; kërkesa nuk është qartazi e pabazuar; dhe Gjykata nuk gjeti asnjë kusht tjetër të pranueshmërisë i cili nuk është plotësuar. Si rrjedhojë, kërkesa e kaloi testin e pranueshmërisë dhe u shpall e pranueshme për shqyrtim në merita.
Para shqyrtimit të meritave të rastit, Gjykata e trajtoi çështjen e juridiksionit të saj lidhur me kontestet zgjedhore. Në këtë drejtim, Gjykata sqaroi kompetencën e saj kushtetuese për sa i takon kërkesave individuale lidhur me kontestet zgjedhore, duke theksuar se ajo në këtë aspekt, është e kufizuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht në vlerësimin nëse një akt i autoritetit publik mund të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore përkatëse individuale dhe pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më pas trajtoi të gjitha pretendimet e parashtruesve të kërkesës në veçanti dhe në tërësinë e tyre, duke aplikuar mbi këtë vlerësim: (i) garancitë kushtetuese që ndërlidhen me të drejtat e kontestuara, nenin 45 e 54 të Kushtetutës, respektivisht; (ii) parimet themelore që rezultojnë nga trashëgimia evropiane për zgjedhje demokratike të përmbledhura nga Komisioni i Venecias; dhe (iii) praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Pas aplikimit të këtyre garancive, parimeve dhe testeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata njëzëri konstatoi se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme, nuk kanë shkelur të drejtat e parashtruesve të kërkesës për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës dhe të drejtën për mjet juridik të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për zgjidhje efektive të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), sepse në rrethanat e rastit konkret, Gjykata Supreme, drejtë kishte vlerësuar çështjet që ndërlidhen me: (i) konfirmimin/anulimin e rezultatit zgjedhor; (ii) shpalljen e pasaftshme të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës që ndërlidheshin me parregullsitë në ditën e votimit, e të cilat ishin paraqitur për herë të parë në PZAP, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar; dhe (iii) fletëvotimet e pavlefshme dhe të zbrazëta, pasi PZAP-i kishte hetuar materialin zgjedhor në qendrat e kontestuara të votimit dhe kishte konstatuar se parregullsitë nuk “kanë ndikim në rezultatin final”. Për më tepër, vendimet e Gjykatës Supreme ishin “mjaftueshëm të arsyetuara” në raport me pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe në harmoni me standardet e përcaktuara me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të vendeve anëtare të Komisionit të Venecias, për sa i përket arsyetimit të vendimeve në konteste zgjedhore. Konstatimet e Gjykatës Supreme u konsideruan të jenë në përputhshmëri me garancitë kushtetuese, me praktikën gjyqësore përkatëse të GJEDNJ-së dhe me parimet themelore të Komisionit të Venecias e që ndërlidhen me një “sistem efektiv ankesash”, si pjesë përbërëse të “garancive procedurale”, kusht ky thelbësor për jetësimin e pesë parimeve themelore që ndërlidhen me cilësitë e votës.
Gjykata po ashtu njëzëri konstatoi se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme nuk kanë shkelur të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje të drejtën për zgjedhje të lira të garantuar me neni 3 të Protokolli nr. 1 të KEDNJ-së, sepse, në rrethanat e rastit konkret, të njëjtat nuk janë nxjerrë në kundërshtim me: (i) kushtet për mbrojten e parimeve themelore për cilësitë e votës, siç janë të garantuara me Kushtetutë, ligje zgjedhore dhe Kodin e Praktikës së Mirë të Komisionit të Venecias; (ii) kushtin e “garancive procedurale” për jetësimin e parimit të “votës së lirë” dhe “votës së barabartë”; (iii) “parimin e transparencës” në konteste zgjedhore, siç është përcaktuar nëpërmjet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të parimeve themelore të Komisionit të Venecias; dhe (iv) praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në kontekst të “të drejtave pas-zgjedhore”.
Gjykata po ashtu, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit”. Gjykata konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti. Si rrjedhojë, në fund, Gjykata, njëzëri konstatoi se: (i) Aktvendimi [AA. nr. 52/2017] i 25 nëntorit 2017 i Gjykatës Supreme nuk është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të subjektit politik LDK, dhe është në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 45 e 54 të Kushtetutës; dhe se (ii) Aktgjykimi [A.A. U.ZH. nr. 62/2017] i 7 dhjetorit 2017 i Gjykatës Supreme nuk është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të z. Arban Abrashi dhe të subjektit politik LDK, dhe është në përputhshmëri me të drejtat dhe liritë themelore e tyre të garantuara me nenet 45 e 54 të Kushtetutës.

Parashtruesit:

Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër