Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I.-17-0469 të 26 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI 32/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI32/18 Parashtrues i kërkesës: SH.A. „Kosvik“, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme  për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I.-17-0469, të 26 tetorit 2017

KI32/18, Aktvendim për papranueshmëri i 11 dhjetorit 2018, publikuar më 28 janar 2018

Fjalët kyçe: person juridik, kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar

Kërkesa bazohet në nenin 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47  të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesi i kërkesës është një kompani, e cila u themelua në prill të vitit 1992 si një ndërmarrje shoqërore.

Pas themelimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), AKP filloi procedurën e likuidimit të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi pranë Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar), duke kërkuar konfirmimin e statusit të saj si një kompani private, e cila nuk është nën administrimin e AKP-së, anulimin e vendimit për likuidim, si dhe vendosjen e masës së përkohshme.

Kolegji i Specializuar e hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës nuk kishte përmbushur kushtet për kalim nga një ndërmarrje në pronësi shoqërore në një ndërmarrje private.

Kolegji i Apelit vërtetoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta i vlerësuan gabimisht faktet dhe interpretuan gabimisht ligjin, gjë që shkaktoi shkelje të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar me prova se vendimet e kontestuara shkelin të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se vendimet e gjykatave të rregullta kanë shkaktuar në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë.

Prandaj, Gjykata konsideron, se në baza kushtetuese, kërkesa është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

SH.A. „Kosvik“

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar