Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, A. A. – U. ZH. nr. 64/2017, të 26 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 01/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI01/18, Parashtrues i kërkesës: Gani Dreshaj-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, A. A. – U. ZH. nr. 64/2017, të 26 dhjetorit 2017

KI01/18, Aktgjykim i miratuar më 23 janar 2019, i publikuar më 4 shkurt 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, masë e përkohshme, raundi i dytë i votimit, e drejta zgjedhore, të drejtat aktive zgjedhore, të drejtat pasive zgjedhore, lista e votuesve, të drejtat paszgjedhore, shterimi i mjeteve juridike, zgjedhjet komunale

Parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata që të vlerësojë kushtetutshmërisë e vendimeve të KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, me të cilat, sipas pretendimeve të tyre, janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës, në thelb, u ankuan se për shkak të mosnumërimit të votave të 52 (pesëdhjetedy) votuesve në raundin e dytë të votimit të vlefshme për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Istogut, kandidatit të tyre (Gani Dreshaj) i ishte shkelur e drejta për t’u zgjedhur siç garantohet me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata së pari, duke u bazuar në praktikën e saj për kontestet zgjedhore komunale, konstatoi se njëri prej parashtruesve (Gani Dreshaj) nuk kishte shteruar të gjitha mjetet juridike siç përcaktohet me nenin 113(7) të Kushtetutës. Gjykata po ashtu konstatoi se parashtruesi i dytë i kërkesës (AAK) kishte shteruar të gjitha mjetet juridike dhe se pretendimet e ngritura do t’i shqyrtojë në merita.

Gjykata vlerësoi se rasti konkret trajton çështje të ndërlidhjes së të drejtave aktive zgjedhore me të drejtat pasive zgjedhore, përditësim të listave zgjedhore ndërmjet dy raundeve të votimit dhe konteste për numërimin e votave në qendra të numërimit që përkojnë me periudhën paszgjedhore.

Gjykata, duke u mbështetur në praktikën e konsoliduar të GJEDNJ-së, vendosi të vlerësojë nëse vendimet e kontestuara të KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme mund t’i bëjnë ballë testit të GJEDNJ-së që përcakton nëse ato vendime: (i) janë në përputhje dhe të parashikuara me ligjin e zbatueshëm, (ii) nëse janë proporcionale dhe (iii) nëse janë të njollosura nga arbitrariteti apo të paarsyeshme. Mirëpo, së pari, Gjykata u shpreh se kuadri ligjor që rregullon të drejtën zgjedhore në Republikën e Kosovës nuk është objekt i shqyrtimit kushtetues dhe se vlerësimi i saj kufizohet vetëm përbrenda kornizave të pretendimeve të ngritura në rastin konkret.

Gjykata më tej konstatoi: (i) mospërditësimi i listave të votuesve ka qenë fakt i ditur nga të gjithë pjesëmarrësit në garën zgjedhore – përfshirë dhe parashtruesit e kërkesës dhe (ii) mos numërimi i votave të 52 (pesëdhjetedy) votuesve nuk ka shtrirje të tillë sa të garantojë votën e një grupi të caktuar të votuesve – aq më tepër kur – merret parasysh se asnjëri prej atyre votuesve nuk ishte ankuar te organet kompetente për shkak të mosnumërimit të votave të tyre.

Gjykata, duke dhënë një vlerësim global të të gjitha çështjeve qendrore të rastit konkret, konsideroi se vendimet e kontestuara të KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme janë në përputhje dhe të parashikuara nga ligji zgjedhor i zbatueshëm, janë proporcionale-dhe se nuk janë-të njollosura nga arbitrariteti ose të paarsyeshme.

Rrjedhimisht, Gjykata përfundoi se vendimet e kontestuara të PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme janë në përputhshmëri me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së. Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën e parashtruesve për caktim të masës së përkohshme.

Parashtruesit:

Gani Dreshaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër