Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 213/2017, të 29 gushtit 2017

Nr. të lëndës KI116/17

Parashtruesit: Ahmet Ajeti

Shkarko:

KI116/17, Parashtrues Ahmet Ajeti, Vlerësim i kushtetutshmërisë Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 213/2017, 29 gushtit 2017

KI116/17, Aktvendim për papranueshmëri i 1 marsit 2018, publikuar më 23 prill 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë penale, ekstradim, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatë, përmes së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 213/2017. Parashtruesi pretendonte se aktgjykimi i kontestuar kishte shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dispozitave të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si  dhe dispozitave përkatëse të Paktit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e të Drejtave Civile dhe Politike. Parashtruesi, në veçanti pretendonte se në rast të ekstradimit të tij në Republikën e Shqipërisë nuk ka garanci të mjaftueshme dhe të besueshme se atij do t’i lejohet ose mundësohet rigjykimi.

Gjykata vërejti se procedura e ekstradimit të parashtruesit ishte zhvilluar në bazë të Marrëveshjes Dypalëshe për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe Ligjit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Juridik në Çështje Penale. Në lidhje me këtë, Gjykata vërejti se Gjykata Themelore në Prishtinë, në aktvendimin e saj, pas pranimit të shkresës së Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, përmes të cilës ofrohen garancitë se ndaj parashtruesit do të respektohet e drejta për rigjykim “përmes rivendosjes së afatit për ankimin apo rishikim të vendimit” ka konstatuar se të gjitha kushtet ligjore për lejimin e ekstradimit të parashtruesit në Republikën e Shqipërisë ishin përmbushur. Këtë konstatim të Gjykatës Themelore në Prishtinë e kishin vërtetuar Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Gjykata, marrë për bazë arsyetimin e vendimeve të gjykatave të rregullta konstatoi se  parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur pretendimet e tij se si procedurat e përfunduara në gjykatat e rregullta kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e vendimeve të këtyre gjykatave. Si përfundim, Gjykata shpalli kërkesën e parashtruesit si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, dhe si rrjedhojë të papranueshme.

Parashtruesit:

Ahmet Ajeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar