Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. nr. 7/2017, të 16 majit 2017

Nr. të lëndës KI 112/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI112/17, Parashtrues: Deno Denović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. nr. 7/2017, të 16 majit 2017.

KI112/17, Aktvendim për papranueshmëri i 26 shtatorit 2018, publikuar më 22.10.2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, seancë dëgjimore, procedura administrative, kërkesë qartazi e pabazuar

 Drejtoria Rajonale e Doganës së Kosovë në Mitrovicë, nëpërmjet Aktvendimit [08.05.2/394], e shpalli parashtruesin e kërkesës përgjegjës për kundërvajtjen doganore dhe e dënoi me gjobë, pasi ai ishte kapur nga Policia e Kosovës duke transportuar 4 (katër) bidonë naftë, me arsyetimin se fatura me të cilën parashtruesi i kërkesës arsyetonte mallin, nuk ishte vërtetuar të jetë valide. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Dogana e Kosovës nëpërmjet Aktvendimit [07.03/497] e refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtimin e Aktvendimit të Drejtorisë Rajonale dhe la në fuqi Aktvendimin e Drejtorisë Rajonale.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative kundër Doganave të Kosovës, duke kërkuar anulimin e Aktvendimit [07.03/497] ose kthimin e çështjes së tij në rishqyrtim në Doganën e Kosovës. Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [A. nr. 1247/14], e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese shkelje të të drejtave të tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm sipas nenit 31 të Kushtetutë, nëpërmjet dy argumenteve në vijim: a) refuzimit të kërkesës për mbajtjen e seancës dëgjimore nga sektori për rishqyrtim i Doganës së Kosovës; dhe b) që aktvendimet e Doganës së Kosovës dhe aktgjykimet e gjykatave të rregullta janë arbitrare, sepse të njëjtat konsiderojnë që fatura mbi bazën e së cilës ai arsyetonte mallin e kontestuar nuk është valide dhe se asnjëra nga instancat administrative e gjyqësore nuk ka vërtetuar elementet e veprës për të cilën ai është shpallur përgjegjës dhe është dënuar.

Gjykata vëren që argumentet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i mosmbajtjes së një seance dëgjimore në nivelin e organeve administrative, nuk mbështesin në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje kushtetuese, sepse vendimet përkatëse të organeve administrative iu nënshtruan kontrollit të mëvonshëm nga një “organ gjyqësor që ka juridiksion të plotë”, me kompetencë për të anuluar vendimet e tilla edhe sa i përket çështjeve të faktit e po ashtu edhe të ligjit. Ndërsa, sa i përket pretendimeve të tij ndaj organeve gjyqësore, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat në Gjykatën Supreme kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të ligjit dhe vlerësimit të provave dhe fakteve në rastin e tij.

Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhej të deklarohej e papranueshme.

Parashtruesit:

Deno Denović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar