Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme-Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës, GSK-KPA-A-107/15, të 22 marsit 2017

Nr. të lëndës KI 111/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI111/17, Parashtrues: Mark Kuzhnini, Prena Kuzhnini dhe Luka Kuzhnini, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme-Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës, GSK-KPA-A-107/15, të 22 marsit 2017

KI111/17, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2018, publikuar më 2 maj 2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja e pronës, mbrojtje e identitetit, qartazi e pabazuar

Më 22 mars 2017, Gjykata Supreme-Kolegji i Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës përmes Aktgjykimit GSK-KPA-107/15 refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesve të kërkesës, kundër Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës KPCC/D/240/2014, të 30 prillit 2014.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se, me vendimin e kontestuar, u janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Parashtruesit në Gjykatën Kushtetuese në thelb pretendojnë se Gjykata Supreme-Kolegji i Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës gabimisht dhe në mënyrë të patrajtuar mirë dhe me njëanshmëri ka marrë aktgjykim të gabuar i cili është në kundërshtim me provat materiale dhe reale në këtë çështje kontestimore dhe se ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.

Gjykata konkludoi se parashtruesit e kërkesës nuk kanë paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat pranë Gjykatës Supreme-Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të së drejtës për mbrojtjen e pronës.

Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën e parashtruesve të kërkesë për moszbulimin e identitetit të tyre publikisht.

Parashtruesit:

Mark Kuzhnini, Prena Kuzhnini, Luka Kuzhnini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile