Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së neneve 2, 3 (paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3 dhe 4), 4 (paragrafi 1), 6, 7 (paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3 dhe 4), 11 (paragrafi 3), 18, 19 (paragrafët 5, 6, 7 dhe 8), 20 (paragrafi 5), 21, 22, 23, 24 dhe 25 (paragrafët 2 dhe 3) të Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

Nr. të lëndës KO 171/18

Shkarko:
Përmbledhje

KO171/18, Parashtrues: Avokati i Popullit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së neneve 2, 3 (paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3 dhe 4), 4 (paragrafi 1), 6, 7 (paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3 dhe 4), 11 (paragrafi 3), 18, 19 (paragrafët 5, 6, 7 dhe 8), 20 (paragrafi 5), 21, 22, 23, 24 dhe 25 (paragrafët 2 dhe 3) të Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

 KO171/18, Aktgjykim  i 25 prill 2019, publikuar më 20 maj 2019

Fjalët kyç: kërkesë institucionale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

Kërkesa ishte parashtruar nga Avokati i Popullit, në cilësinë e palës së autorizuar në bazë të paragrafit 2, nënparagrafit 1, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.

Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të caktuara të Ligjit nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (të tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar) dhe kërkoi vendosjen e masës së përkohshme.
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Ligji i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe me Kapitullin VI [Qeveria e Republikës së Kosovës] të Kushtetutës.
Pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës ishin rreth: (i) tejkalimit të fushëveprimit të ngushtë të Këshillit, i përcaktuar me Kapitullin VI të Kushtetutës; (ii) shkeljes së pavarësisë kushtetuese të Avokatit të Popullit dhe të institucioneve të tjera të pavarura kushtetuese; dhe (iii) dhënies së imunitetit anëtarëve të Këshillit.
Gjykata konstatoi që kërkesa i plotëson kërkesat e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë e të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës dhe në meritat e Aktgjykimit adresoi secilin pretendim të parashtruesit të kërkesës. Gjykata  vlerësoi dhe konstatoi si në vijim:
Së pari, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës lidhur me tejkalimin e fushëveprimit të ngushtë të Këshillit, Gjykata konsideroi se shprehja “Shërbimi Civil” sipas leximit dhe interpretimit të nenit 101 të Kushtetutës, duhet kuptuar në kontekstin e saj dhe në qëllimin që ka pasur hartuesi, qëllim i cili është i shprehur në nenin 1 të Ligjit të Shërbimit Civil, duke evituar kështu mundësinë e keqinterpretimeve ose të interpretimeve teknike të normës në fjalë. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se neni 2 i Ligjit të kontestuar është në përputhshmëri me nenin 101 [Shërbimi Civil], paragrafin 1 dhe 2 të Kushtetutës.
Së dyti, sa i përket setit të dytë të pretendimeve, Gjykata fillimisht, duke rikujtuar edhe praktikën e saj gjyqësore në të cilën kishte zhvilluar parimet lidhur me pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, theksoi që këto të fundit nuk lirohen nga detyrimi që në rregullore apo në aktet juridike t’i rregullojnë specifikat në lidhje me marrëdhënien e punës, që dallojnë nga normat e përgjithshme të përcaktuara me ligjet e tjera, duke përfshirë edhe Ligjin e kontestuar; dhe gjatë zbatimit të Ligjit të kontestuar duhet t’u njihet  funksioni i tyre, ndër të tjera, në nxjerrjen dhe në aplikimin e rregullave të tyre të brendshme për të mbrojtur pavarësinë e tyre të përcaktuar me Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, deri në masën e nevojshme, për të mbrojtur pavarësinë e tyre.
Ndërsa, sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit të kontestuar në lidhje me institucionet e tjera publike, Gjykata konkludoi se neni 4 (paragrafi 1), në ndërlidhje me nenin 3 (paragrafi 1.1), i cili rregullonte statusin e Këshillit, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën sepse Gjykata vlerësoi që Këshilli nuk mund të kategorizohet me statusin e institucionit të pavarur kushtetues sipas Kapitullit XII të Kushtetutës.
Sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së nenit 6 (paragrafi 1.2), dhe nenit 19 (nënparagrafët 5, 6, 7 dhe 8) të Ligjit të kontestuar, nene këto të cilat rregullonin mbikëqyrjen e përzgjedhjes së nëpunësve civilë për pozita të nivelit të lartë drejtues nga ana e Këshillit, Gjykata konstatoi se nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Gjykata konsideroi se trajtimi i pabarabartë i shërbyesve civilë në raport me kompetencën e Këshillit për mbikëqyrje të përzgjedhje të shërbyesve civilë, i përcaktuar me këto dispozita të Ligjit të kontestuar nuk është në pajtueshmëri me të drejtën kushtetuese për barazi para ligjit.
Gjykata konstatoi që dispozitat vijuese të Ligjit të kontestuar, konkretisht neni 2 për fushëveprimin; neni 3 (paragrafi 1.2, 1.3, 1.4) për përkufizimet “nëpunës civil”, “nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues”, “nëpunës civil i nivelit drejtues”; neni 7 (paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3 dhe 4) për kompetencat e Këshillit; neni 11 (paragrafi 3) për imunitetet; neni 18 për mënyrat e vendosjes për ankesat; neni 20 (paragrafi 5) për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit; neni 21 për vendimet e Këshillit; neni 22 për inicimin e konfliktit administrativ; neni 23 për procedurat në rast të moszbatimit të vendimit të Këshillit; nenit 24 për sanksionet administrative; dhe neni 25 (paragrafët 2 dhe 3) lidhur me bashkëpunimin e institucioneve, të Ligjit të kontestuar, janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.
Së treti, Gjykata, marrë pasur parasysh imunitetin e limituar që u garantohet me Ligjin e kontestuar anëtarëve të Këshillit, vlerësoi se masa e përdorur është proporcionale dhe konstatoi që neni 11, paragrafi 3, i Ligjit të kontestuar, është në përputhje me të drejtën për qasje në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KENDJ-së.
Në fund, në lidhje me vendosjen e masës së përkohshme, Gjykata konsideroi që nuk është e nevojshme të shqyrtohet meqenëse është vendosur për meritat e rastit.

Parashtruesit:

Avokati i Popullit

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 24 - Barazia para Ligjit