Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit për shpallje të faljes, të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. DF-02-2018, të 10 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 67/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI67/18, Parashtrues: Arbenita Arifi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit për shpallje të faljes, të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. DF-02-2018, të 10 prillit 2018

KI67/18, Aktvendim për Papranueshmëri i 14 majit 2019, publikuar më 10 korrik 2019

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, dekreti i Presidentit, ratione personae

Më 11 tetor 2010, R. M. nga Prishtina kishte kryer veprën penale të vrasjes, me ç’rast për pasojë kishte mbetur i vrarë A. A. babai i parashtrueses së kërkesës.

Më 10 prill 2018, Presidenti i Republikës së Kosovës, përmes Dekretit për Shpallje të Faljes (DF-2-2018), kishte falur dënimet 14 (katërmbëdhjetë) personave të dënuar. Ndër personat e falur ishte edhe R. M., të cilit i ishin falur 2 (dy) vite nga vuajtja e dënimit.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se Dekreti i Presidentit të cilin e kontestoi në Gjykatë, ishte në kundërshtim me Kushtetutën, duke mos specifikuar se cilat të drejta dhe liri i janë shkelur.

Parashtruesja e kërkesës në thelb para Gjykatës pretendoi se nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për faljen e R. M., respektivisht se vepra penale, për të cilën ishte dënuar R. M., nuk është e paraparë si vepër penale për të cilën mund të akordohet falja.

Gjykata vlerësoi se Dekreti i Presidentit nuk iu ka referuar asnjë situate që prekë të drejtat e ndonjë personi tjetër dhe rrjedhimisht nuk ka mundur të ketë efekte të shkeljeve të supozuara të të drejtave dhe lirive të parashtrueses së kërkesës sepse kishte të bënte vetëm me personat e përcaktuar në Dekret, edhe pse parashtruesja e kërkesës është trashëgimtare e viktimës, A. A., i vrarë nga personi i përfshirë në vendimin e kontestuar.

Për më tepër, Gjykata theksoi se pasojat juridike të Dekretit të Presidentit prekin dhe shtrihen vetëm mbi të dënuarit dhe jo mbi personat e tretë.

Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses është ratione personae e papajtueshme me Kushtetutën, sepse nuk i ka përmbushur kushtet e parapara me neni 113.7 të Kushtetutës për kërkesat individuale.

Parashtruesit:

Arbenita Arifi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është recione personae jashtë juridiksionit të Gjykatës