Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 7/2018, të 6 shkurtit 2018

Nr. të lëndës KI 63/18

Parashtruesit: Agim Grushti

Shkarko:

KI63/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.7/2018, të 6 shkurtit 2018

KI63/18, parashtrues Agim Grushti

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 6 qershorit 2019, publikuar më 10 korrik 2019

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, revizioni i pa lejuar, paga jubilare

Parashtruesi i kërkesës ka punuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si “Përgjegjes i trafove dhe përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e gjeneratorëve”, deri në shtator të vitit 2014 kur edhe ishte pensionuar.

Pas përfundimit të marrëdhënies së punës me QKUK-në për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat administrative dhe më pas ato gjyqësore, në lidhje me kompensimin e dy pagave jubilare dhe dy pagave përcjellëse për në pension. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kishin refuzuar kërkesën e tij si të pabazuar, kryesisht me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore për përfitimin e një të drejte të tillë dhe se Kontrata Kolektive të cilës parashtruesi i kërkesës i referohej nuk ishte në fuqi në kohën e pensionimit të tij. Ndërsa, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në nenin 211 të LPK-së sipas të cilit revizioni nuk është i lejuar për kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk e kalon vlerën në të holla prej 3,000 euro.

Parashtruesi i kërkesës e konteston në Gjykatë pikërisht vendimin e fundit të Gjykatës Supreme duke pretenduar që refuzimi i kërkesës së tij për revizion si i palejuar i kishte shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 3, 4, 21, 22, 23, 24, 31, dhe 57 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata vërejti se Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës si “të palejuar” – në aspekt procedural dhe pa shqyrtuar meritat e kërkesës, duke u bazuar në dispozitat e LPK-së e sipas të cilave kërkesa për revizion duhet të shpallet e palejueshme në rastet kur vlera e kontestit është nën 3,000 euro. Gjykata vërejti në këtë drejtim se arsyetimi i dhënë në Aktvendimin e Gjykatës Supreme ishte i qartë dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu gjeti që edhe procedurat para Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore nuk ishin të padrejta apo arbitrare.

Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Agim Grushti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile