Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 259/2018, të 5 nëntorit 2018 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 748/2018, të 13 gushtit 2018

Nr. të lëndës KI 19/19 dhe KI 20/19

Parashtruesit: Muhamet Thaqi dhe Egzon Keka

Shkarko:

KI19/19 dhe KI20/19, Parashtrues: Muhamet Thaqi dhe Egzon Keka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 259/2018, të 5 nëntorit 2018 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PA1. nr. 748/2018, të 13 gushtit 2018

KI19/19 dhe KI20/19, Aktvendim   i 29 korrikut 2019, publikuar më 28 gusht 2019 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e paafatshme

Parashtruesit e kërkesës parashtruan kërkesën në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml. nr. 259/2018] të 5 nëntorit 2018 të Gjykatës Supreme dhe Aktgjykimit [PA1. nr. 748/2018] të 13 gushtit 2018 të Gjykatës së Apelit.

Parashtruesit e kërkesës ishin shpallur fajtor përmes Aktgjykimit [P. nr. 62/2014] të 7 qershorit 2018 të Gjykatës Themelore, për kryerjen e veprës penale dhe ishin dënuar me gjobë dhe dënim me burgim me kusht. Pranë Gjykatës së Apelit, Prokurori i Shtetit kishte parashtruar ankesë duke kërkuar që të rritet lartësia e dënimit, marrë parasysh faktin që të njëjtit ishin dënuar më parë edhe përmes tri aktgjykimeve të tjera. Rrjedhimisht, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1. nr. 748/2018] të 13 gushtit 2018 e ndryshoi Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket dënimit, duke iu shqiptuar parashtruesve të kërkesës dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh pa i thirrur ata në seancë. Tutje, parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, dhe kjo kërkesë u shpall e papranueshme.

Parashtruesit e kërkesës në elaborimin e pretendimeve pranë Gjykatës theksuan se u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për dy arsye: (i) Aktvendimi i Gjykatës Supreme, sipas tyre ka qenë i gabueshëm ngase kanë qenë vetë parashtruesit të cilët e kanë nënshkruar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndërsa parashtresa është hartuar dhe është vulosur nga hartuesi, përkatësisht avokati, mirëpo nuk është dorëzuar nga ana e tij, ngase të njëjtën e kanë dorëzuar vet parashtruesit e kërkesës; dhe (ii) Gjykata e Apelit kishte nxjerrë Aktgjykimin përkatës duke e ngritur lartësinë e dënimit të tyre të përcaktuar nga Gjykata Themelore, përkatësisht nga burgimi me kusht në burgim efektiv me kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) muajve, pa i ftuar ata në seancë dëgjimore.

Gjykata, duke ju referuar pretendimeve të parashtruesve të kërkesës vendosi për kërkesat e tyre si në vijim:

Sa i përket Aktvendimit [Pml. nr. 259/2018] të 5 nëntorit 2018 të Gjykatës Supreme, Gjykata theksoi se Gjykata Supreme kishte arsyetuar shpalljen e papranueshme të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë bazuar në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për më tepër që, pretendimet përkitazi me interpretimin e gabuar të ligjit, në parim, nuk bien në jurisdiksionin e Gjykatës. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk i kanë mbështetur pretendimet e tyre se procedurat përkatëse në Gjykatën Supreme në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare.

Sa i përket pretendimeve rreth Aktgjykimit [PA1. nr. 748/2018] e 13 gushtit 2018 të Gjykatës së Apelit, përkatësisht pretendimit se parashtruesit nuk janë thirrur në seancë, Gjykata konstatoi se bazuar në shkresat e lëndës kërkesa e parashtruesve të kërkesës në Gjykatë kundër këtij Aktgjykimi është parashtruar më 1 shkurt 2019, dhe rrjedhimisht jashtë afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.

Parashtruesit:

Muhamet Thaqi dhe Egzon Keka

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar