Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 277/2017, të 30 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 159/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI159/18, Parashtrues i kërkesës: Azem Duraku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PML. nr. 277/ 2017] të Gjykatës Supreme, të 30 prillit 2018, me të cilin është refuzuar kërkesa e tij për mbrojtje të ligjshmërisë e paraqitur kundër Aktvendimit [PN. nr. 191/2016] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 1 prillit 2016

KI159/18, Aktvendim për papranueshmëri i 3 prillit 2019, publikuar më 8 maj 2019  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, Aktvendim për papranueshmëri, përsëritje e pretendimeve, qartazi e pabazuar 

Gjykata, në fillim, rikujton se parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar një herë kërkesë në Gjykatë, e cila më 7 prill 2016 është regjistruar nga Gjykata me shenjën KI60/16. Gjykata në lidhje me kërkesën KI60/16 kishte vendosur me Aktvendim për papranueshmëri të 15 nëntorit 2016.

Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se edhe në këtë kërkesë KI159/18, ai pretendon shkelje të neneve të njëjta të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, të cekura edhe në kërkesën KI60/16, dhe ato pretendime kanë të bëjnë me  shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenet 7 [Vlerat], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 34 [E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër], nenin 36 [E Drejta e Privatësisë], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], nenin 102 (3) [Gjykata gjykon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit], neni 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt], nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) dhe nenit 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.

Po ashtu, Gjykata vërejti se parashtruesi edhe në kërkesën KI159/18 pretendon se gjykatat kanë shkelur Kodin e Procedurës Penale nr. 04/L-123 përkatësisht nenet 156, 158 (3), 159 (1), 445 (1) dhe (2) të KPP-së, të cilat nuk lejojnë vazhdimin e procedurës penale në dëm të të pandehurit, ose të iniciohet prapë procedura penale për shkak të ekzistencës së afateve prekluzive për ngritje të aktakuzës. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës përmendi disa nene te KPP-së, të cilët ai konsideroi se ishin shkelur nga gjykatat e rregullta.

Gjykata të gjitha këto pretendime, të cilat tashmë i ka vlerësuar në kërkesën KI60/16, i konsideron si kërkesë për përsëritje të kërkesës së mëhershme lidhur me çështjet për të cilat Gjykata tashmë ka vendosur.

Prandaj, në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, Gjykata atë pjesë të pretendimeve nga kërkesa KI159/18, e refuzon si të palejuar, me procedurë të shkurtër.

Sa i përket pretendimeve në kërkesën KI159/18, Gjykata konsideron se në rastin e parashtruesit asgjë nuk tregon se procedurat në Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se thelbi i së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm ishte shkelur dhe se parashtruesit të kërkesës i janë mohuar garancitë procedurale, që do të rezultonte me shkelje të kësaj të drejte sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.

Gjykata në bazë të asaj që është thënë, konstaton se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës nuk tregon që procedurat pranë Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, i kanë shkelur atij në ndonjë mënyrë të drejtat dhe liritë kushtetuese ose të drejtat dhe liritë e garantuara me KEDNJ.

Prandaj, kërkesa e parashtruesit refuzohet pjesërisht në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, përderisa pretendimet në kërkesën KI159/18, refuzohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.

Parashtruesit:

Azem Duraku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim