Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC. nr. 3917/17, të 25 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI154/17 dhe KI05/18

Parashtruesit: Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”

Shkarko:

KI154/17 dhe KI05/18 Parashtrues: Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 3917/17, të 25 tetorit 2017

 KI154/17 dhe KI05/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2019, publikuar më 21 gusht 2019.

Fjalët kyç: persona juridikë, kërkesë individuale, vlerësim i aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, qartazi e pabazuar

Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesit e kërkesës dhe Banka Raiffeisen, kishin lidhur Marrëveshje për kredi në vlerën prej 100,000 euro. Si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve nga debitori, kreditori kishte kërkuar fillimin e procedurës së përmbarimit për vlerën e mbetur të kredisë, përkatësisht 78,709.68 euro. Gjykata Komunale kishte lejuar përmbarimin dhe lënda ishte transferuar te Përmbaruesi Privat. Ky i fundit, përmes konkluzioneve përkatëse, kishte caktuar ankandet publike për shitjen e palujatshmërisë së përcaktuar me Marrëveshje në vlerën prej 151,600.00 euro. Sipas shkresave të lëndës, paluajtshmëria i është shitur RBK-së, në ankandin publik të 21 korrikut 2017, në një të tretën (1/3) e vlerës së përcaktuar të paluajtshmërisë, përkatësisht 50,535.00 euro. Si rezultat, Përmbaruesi Privat kishte nxjerrë Urdhrin për shitjen e paluajtshmërisë. Debitorët, përkatësisht parashtruesit e kërkesës, kishin kontestuar këtë Urdhër në Gjykatën e Apelit, e cila përmes Aktvendimit [Ac. nr. 3917/2017] të 25 tetorit 2017 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e debitorëve. Në Gjykatë, parashtruesit e kërkesës e kontestojnë këtë të fundit, duke pretenduar, në esencë, se “procedura përmbarimore ishte kundërkushtetuese dhe kundërligjore”.

Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, duke përfshirë ato sipas të cilave (i) shitja publike ishte realizuar mbi bazën e ligjit që nuk ishte në fuqi në kohën kur kishte filluar procedura përmbarimore, përkatësisht Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, duke rezultuar kështu në rezultat të ndryshëm dhe më të pafavorshëm për parashtruesit e kërkesës, sesa po të ishte zbatuar Ligji për Procedurën Përmbarimore; (ii) Përmbaruesi Privat kishte refuzuar caktimin e një eksperti që do të vërtetonte shumën e detyrimit ndaj kreditorit, përkatësisht Bankës Raiffeisen; (iii) Marrëveshja është në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet Detyrimore; dhe (iv) Ligji për Procedurën Përmbarimore është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata i shqyrtoi duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me (i) aplikimin dhe interpretimin qartazi të gabuar të ligjit, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshme bazuar në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës; (ii)  refuzimin e përcaktimit të ekspertit dhe mungesës së arsyetimit për këtë refuzim, si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshme në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës; (iii) kundërligjshmërinë e Marrëveshjes, si të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike në kuptimin substancial në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2, të nenit 47 të Ligjit, dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës; dhe (iv) mospërputhshmërinë e LPP-së me Kushtetutën si të papranueshme sepse të njëjtat nuk janë ngritur nga një palë e autorizuar në pajtim me nënparagrafin (1) të paragrafit (2) të nenit 113 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe pikës (a) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile