Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.3248/17, të 17 korrikut 2018

Nr. të lëndës KI 143/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI143/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.3248/17, të 17 korrikut 2018

KI143/18, parashtrues Bekim Mustafa

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 8 tetorit 2019, publikuar më 01 nëntor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës kontestoi para kësaj Gjykate Aktvendimin e Gjykatës së Apelit përmes së cilit ishte refuzuar ankesa e tij kundër një vendimi të gjykatës së shkallës së parë. Kjo e fundit, e kishte aprovuar si të bazuar propozimin për kundërpërmbarim të një pale të interesuar dhe e kishte detyruar parashtruesin e kërkesës që në afat prej 7 (shtatë) ditësh t’ia mundësojë palës së interesuar kthimin e lokaleve afariste dhe objekteve afariste të ndërtuara në pronën e paluajtshme që ishte objekt kontesti. Procedurat fillestare për vërtetim të pronësisë të iniciuar me padi të parashtruesit të kërkesës dhe kundërpadi të një pale të interesuar – janë akoma në pritje para gjykatave të rregullta dhe para Gjykatës Kushtetuese nuk ishin objekt kontesti. Gjykata u morr me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Ac.nr.3248/17] të 17 korrikut 2018 të Gjykatës së Apelit – që rezultoi si pasojë e procedurave përmbarimore të iniciuara nga parashtruesi i kërkesës dhe ato të kundërpërmbarimit të iniciuara nga pala e interesuar.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit, përmes refuzimit të ankesës së tij, ia kishte shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 31 dhe 54 të Kushtetutës. Sipas tij, këto dy nene të Kushtetutës ishin shkelur me faktin se “nuk mund të kërkohet kundërpërmbarim pa qenë vendimi i formës së prerë sipas nenit 54 al. 1.1 dhe al. 2 të Ligjit të Procedurës Përmbarimore.”

Pretendimin në fjalë Gjykata e klasifikoi si pretendim që bie në fushën e ligjshmërisë dhe qartësoi për parashtruesin se, në parim, interpretimi i ligjit është kompetencë e gjykatave të rregullta dhe se “drejtësia” që kërkohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik, dhe në parim, kjo shprehet me procedurë kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para gjykatës. Për më tepër, Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës nuk arriti të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimet e tij se interpretim i ligjit nga Gjykata e Apelit ishte qartazi i gabuar apo arbitrar dhe se i njejti mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme”.

Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Bekim Mustafa

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile