Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 3238/2016, të 24 prillit 2017, Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 228/2016, të 20 tetorit 2016 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR. nr. 231/2015, të 6 gushtit 2015

Nr. të lëndës KI 105/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI105/17, Parashtrues: Pashk Mirashi, Vlerësim i  kushtetutshmërisë së  Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac, nr.3238/2016 të 24 prillit 2017, Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 228/2016, të 20 tetorit 2016 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR nr. 231/2015, të 6 gushtit 2015

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, refuzim me procedurë të shkurtër

Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesën në Gjykatë duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së  Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac, nr.3238/2016 të 24 prillit 2017 të nxjerrë në procedurë përmbarimore, dhe dy (2) aktgjykimeve tjera të nxjerra në procedurë penale, përkatësisht, të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 228/2016, të 20 tetorit 2016 dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, PAKR nr. 231/2015, të 6 gushtit 2015, të cilat kanë qenë objekt shqyrtimi i Gjykatës në rastin KI07/17.

Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor për një numër veprash penale, dhe si rezultat, ai përpos dënimit me burgim, u detyrua të kompensojë edhe një shumë prej 204,920.98 euro, Bankës Kreditore në Prishtinë (BKP), si palë e dëmtuar. Më tej, BKP kishte paraqitur propozimin për përmbarimin e borxhit ndaj parashtruesit të kërkesës te përmbaruesi privat duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili ishte i plotfuqishëm. Si e tillë, procedura përmbarimore, kishte rrjedhë nga vendimet e gjykatave në procedurë penale.

Pas ndjekjes dhe përfundimit të procedurave pranë gjykatave të rregullta lidhur me çështjen e përmbarimit, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, dhe e drejta për mbrojtje gjyqësore e të drejtave, duke ju referuar kështu: (i) të njëjtave pretendime që parashtruesi i kërkesës i kishte ngritur edhe në kërkesën e tij të mëparshme në rastin KI07/17; dhe (ii) pretendimit se procedura përmbarimore duhet të trajtohet si pjesë integrale e gjykimit për qëllime të nenit 6 të KEDNJ-së, inter alia, duke theksuar se gjykatat e rregullta e kanë lejuar përmbarimin e një vendimi të formës së prerë i cili është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore, kushtetuese dhe instrumentet ndërkombëtare.

Gjykata, duke ju referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës refuzoi në procedurë të shkurtër pretendimet lidhur me Aktgjykimin [Pml.nr.228/2016] të 20 tetorit 2016 të Gjykatës Supreme dhe Aktgjykimin [PAKR nr. 231/2015] të 6 gushtit 2015  të Gjykatës së Apelit, të nxjerra në procedurë penale, si përsëritje e kërkesës së parashtruesit në rastin KI07/17.

Në fund, sa i përket procedurës përmbarimore, në lidhje me Aktvendimin [Ac. Nr. 3238/2016] të 24 prillit 2017 të Gjykatës së Apelit, Gjykata konstatoi që është e papranueshme sepse parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse të ndjekura nga gjykatat e rregullta në kuadër të procedurës përmbarimore në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare, dhe se me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ.

Parashtruesit:

Pashk Mirashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar