Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 124/2018 të Gjykatës Supreme të 12 prillit 2018

Nr. të lëndës KI 88/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI88/18, Parashtruese e kërkesës: Hysnije Dedinca, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit Rev. nr. 124/2018 të Gjykatës Supreme të 12 prillit 2018

KI88/18, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, i publikuar më 29 tetor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetueshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, qartazi e pabazuar

Parashtruesja  e kërkesës e ka parashtruar kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullit 32 të Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2006, parashtruesja e kërkesës ngriti padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës kundër Korporatës Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) në lidhje me kompensimin e përkohshëm të pagës për shkak të ndërprerjes se marrëdhënies së punës së burrit të saj të ndjerë.

Gjykata Komunale në Prishtinë përmes aktgjykimit C1. nr. 400/2006 e miratoi padinë e parashtrueses së kërkesës dhe e urdhëroi KEK-un që t’ia paguante parashtrueses së kërkesës kompensimin, në emër të pagës së përkohshme të parashikuar me marrëveshje.

Duke vendosur mbi ankesën e KEK-ut, Gjykata e Qarkut me Aktgjykimin Ac. nr. 597/2008  e miratoi , si të bazuar, ankesën e KEK-ut dhe në përputhje me rrethanat e ktheu në fuqi Aktgjykimin C. nr. 400/2006 të Gjykatës Komunale në Prishtinë duke e hedhur poshtë si të pabazuar padinë e parashtrueses së kërkesës lidhur me detyrimin e KEK-ut për të paguar kompensimin e përkohshëm të pagës sipas Marrëveshjes. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut iu dorëzua parashtrues së kërkesës më 5 maj 2009.

Në vitin 2018, parashtruesja e kërkesës, i paraqiti Gjykatës Supreme, një kërkesë për revizion kundër  vendimit të Gjykatës së Qarkut Ac. nr. 597/2008.

Me Vendimin  Rev.nr.124 /2018, Gjykata Supreme e hodhi poshtë revizionin e parashtrueses së kërkesës  si të parashtruar jashtë afatit.

Gjykata vëren se Gjykata Supreme i shpjegoi hollësisht parashtrueses së kërkesës se ajo ka pasur obligim ligjor që të paraqiste  revizionin brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve. Gjykata vëren se në bazë të LPK-së, parashtruesja e  kishte mundësinë të paraqesë arsyetimin për vonesë në kërkesën për përsëritjen e procedurës.

Gjykata vjen në përfundim se parashtruesja e kërkesës nuk i mbështeti pretendimet e saj se procedurat përkatëse ishin në ndonjë mënyrë të paligjshme ose arbitrare dhe se me vendimet e kontestuara kishte ardhur deri tek shkelja e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Prandaj, në përputhje me rregullin 39 (2) të Rregullores së Procedurës, kërkesa e parashtrueses së kërkesës është qartazi e pabazuar mbi baza kushtetuese dhe, prandaj, e papranueshme në lidhje me shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Parashtruesit:

Hysnije Dedinca

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative