Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ARJ.UZV.nr.1/2018 i datës 25 janar 2018

Nr. të lëndës KI 91/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI91/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ARJ. UZV. nr.1/2018, i datës 25 janar 2018

KI91/18, parashtrues: Njazi Gashi, Lirije Sadikaj, Nazife Hajdini-Ahmetaj dhe Adriana Rexhepi

Aktvendim për Papranueshmëri i 10 shtatorit 2019

Fjalët kyç: Kërkesa individuale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, marrëdhënie pune, qartazi e pabazuar

Kërkesa ishte dorëzuar nga katër parashtrues të cilët bashkërisht kontestonin kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme.

Parashtruesit e kërkesës kishin aplikuar në një konkurs të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për “Inspektor Shëndetësor”. Ata ishin përzgjedhur si kandidatë të suksesshëm nga Komisioni Rekrutues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe për rrjedhojë kishin nënshkruan akt-emërimet përkatëse dhe kishin filluar marrëdhënien e punës me Ministrinë e Shëndetësisë. Disa kandidatë të pasuksesshëm në atë konkurs fillimisht kishin ushtruar ankesë në Ministrinë e Shëndetësisë; dhe më pas, edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës [“KPMSHCK”]. Ky i fundit i kishte miratuar ankesat e tyre dhe kishte anuluar në tërësi konkursin në fjalë dhe përzgjedhjen e parashtruesve të kërkesës si kandidatë fitues. Kundër vendimeve të KPMSHCK-së, parashtruesit e kërkesës kishin iniciuar konflikt administrativ mbi të cilën padi kishin vendosur gjykatat e rregullta. Gjykata Themelore e kishte refuzuar padinë e tyre si të pabazuar; Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e tyre po ashtu si të pabazuar dhe, së fundmi, edhe Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën e tyre për rishqyrtim të jashtëzakonshëm si të pabazuar. Me fjalë të tjera, gjykatat e rregullta kanë konsideruar që akt-emërimet e parashtruesve të kërkesës nuk kanë qenë të ligjshme dhe që KPMSHCK ka vendosur drejtë kur ka anuluar rezultatet e konkursit në fjalë. Para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesit e kërkesës kontestuan vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, duke pretenduar se u janë shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me nenet 31, 49 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ.

Pas trajtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata erdhi në përfundimin se:

pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ përkitazi me arsyetim të vendimeve gjyqësore janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punës;

pretendimet për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës përkitazi me të drejtën në punë dhe ushtrim të profesionit janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (2) të Rregullores së punë; dhe

pretendimet për shkelje të nenit 55 të Kushtetutës për sa i përket çështjes së kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut nuk janë të qartësuara në mënyrë adekuate dhe si të tilla duhet të refuzohen në bazë të nenit 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Njazi Gashi, Lirije Sadikaj, Nazife Hajdini-Ahmetaj dhe Adriana Rexhepi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative