Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 53/2018, të 6 qershorit 2018

Nr. të lëndës KI 130/18

Parashtruesit: Limak Kosovo International Airport SH. A. "Adem Jashari"

Shkarko:

KI130/18, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH. A. “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 53/2018, të 6 qershorit 2018

KI130/18, Aktvendim i 20 qershorit 2019, publikuar më 12 korrik 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,

Parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko-Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tri) vite të tjera.

Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës e kishte njoftuar të punësuarën F. M. se nuk do t’i ofrohet kontratë e re e punës pas skadimit të kontratës ekzistuese, bazuar në vendimin e kompanisë për planifikimin e ardhshëm të resurseve njerëzore. E punësuara F. M. paraqet padi në Gjykatën Themelore dhe padia e saj aprovohet si e bazuar duke u bazuar në dispozitat e Marrëveshjes Kolektive. Aktgjykimin e Gjykatës Themelore e konfirmon dhe Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës, në revizion pretendoi se Marrëveshja Kolektive nuk vlen në rastin e tij, sepse nuk e kanë nënshkruar atë. Në fund, gjatë procedurës së revizionit, dhe përgjigjes së pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme arsyeton se objekt shqyrtimi ka qenë ligjshmëria e mosvazhdimit të kontratës së punës, andaj çështja se aplikohet apo jo Marrëveshja Kolektive në rastin e parashtruesit të kërkesës, nuk do të ndikojë që gjykata të marrë vendim ndryshe.

Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, si dhe neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe përsëriti pretendimet e tij si pranë gjykatave të rregullta.

Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës i pretendon si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Parashtruesit:

Limak Kosovo International Airport SH. A. "Adem Jashari"

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar