Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 403/2018, të 8 janarit 2019

Nr. të lëndës KI 97/19

Parashtruesit: Gëzim Sadrijaj, Gazmend Sadrijaj dhe Hidajete Sadrijaj

Shkarko:

KI97/19, Parashtrues: Gëzim Sadrijaj, Gazmend Sadrijaj dhe Hidajete Sadrijaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 403/2018, të 8 janarit 2019

KI97/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, publikuar më 22 tetor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta e servitutit, arsyetim i vendimit, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme 

Kërkesa kishte të bënte me procedurat gjyqësore që ishin ndërmarrë pas padisë së disa personave lidhur me vërtetimin e të drejtës së servitutit të përhershëm në ngastrën kadastrale nr. 598 nga fleta poseduese nr. 00009 ZK – Lebushë (ngastra kontestuese), që ishte në emër të Fate Bobaj dhe në posedim të Gëzim Sadrijaj dhe Gazmend Sadrijaj.

Parashtruesit e kërkesës pretendonin se me vendimin e kontestuar Gjykata Supreme ka bërë shkelje të të drejtës së tyre për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës pretendimin e tyre për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë e bazojnë në, siç theksojnë ata, mungesën e arsyetimit në Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, lidhur me përcaktimin nëse janë plotësuar kushtet ligjore për fitimin e së drejtës së servitutit të përhershëm. Ata pretendojnë se Gjykata Supreme, përmes vendimit të kontestuar, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme pse ajo është larguar nga qëndrimi i saj, i mëhershëm, i dhënë me Aktgjykimin nr. 337/2014, ku Gjykata Supreme kishte kërkuar nga gjykatat më të ulëta që të vërtetojnë çështjen e objekteve të ndërtuara në ngastrat kadastrale të paditësve, sepse vërtetimi i tyre është thelbësor për të përcaktuar të drejtën e servitutit të përhershëm në rastin konkret.

Gjykata vërejti se fillimisht Gjykata Supreme [Aktvendimi Rev. nr. 337/2014] e kishte pranuar si të bazuar revizionin e parashtruesve të kërkesës (të paditurve) dhe e kishte prishur Aktgjykimin AC. nr. 3347/2013, të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin C. nr. 109/2014, të Gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim. Gjykata Supreme kishte kërkuar vërtetimin e fakteve relevante për të vërtetuar të drejtën e servitutit të përhershëm të paditësve në ngastrën e kontestuar, konkretisht nëse në ngastrat shërbyese ka të ndërtuar ndonjë shtëpi banimi apo është fjala për toka bujqësore.

Gjykata vërejti se pas kthimit të rastit për rigjykim nga Gjykata Supreme, Gjykata Themelore kishte ndërmarrë veprime për vërtetimin e fakteve mbi të drejtën e servitutit në ngastrën e kontestuar, konkretisht mbi bazën e shikimit të vendit të ngjarjeve dhe deklaratave të dëshmitarëve. Gjykata konsideroi se përfundimet e  gjykatave të rregullta, duke përfshirë edhe Gjykatën Supreme, u arritën pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha argumenteve të paraqitura nga parashtruesit e kërkesës. Në këtë mënyrë, gjykatat e rregullta, duke marrë për bazë gjetjet e Aktvendimit Rev. nr. 337/2014  të Gjykatës Supreme, kanë vërtetuar faktet relevante dhe kanë dhënë arsyetimin e tyre lidhur me qëndrimet e tyre.

Prandaj, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi kontestuar i Gjykatës Supreme, Rev. nr. 403/2018, është i qartë dhe adreson në mënyrën e duhur çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, lidhur me vërtetimin e fakteve relevante për të përcaktuar të drejtën e servitutit të përhershëm mbi ngastrën e kontestuar. Arsyetimi i dhënë nga Gjykata Supreme plotëson standardet për një vendim të arsyetuar, të elaboruara më lart dhe rrjedhimisht nuk ka cenuar nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, kërkesa u deklarua qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe si e tillë e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Gëzim Sadrijaj, Gazmend Sadrijaj dhe Hidajete Sadrijaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile