Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 170/2017, të 23 gushtit 2017

Nr. të lëndës KI 128/17

Parashtruesit: Naser Husaj

Shkarko:

KI128/17, Parashtrues i kërkesës: Naser Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 170/2017, të 23 gushtit 2017 

KI128/17, Aktgjykim i miratuar më 29 korrik 2019, i publikuar më 28 gusht 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, neni 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi [Rev. nr. 170/2017] i 23 gushtit 2017 i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, sepse Kolegji vendimmarrës në Gjykatën Supreme ishte i anshëm për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtares G. S., kundër të cilës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kallëzim penal në vitin 2015 për shkak të nxjerrjes së vendimeve të kundërligjshme gjyqësore  dhe konfliktit të interesit, vepra penale këto të përcaktuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Kallëzimi përkatës penal sipas shkresave të lëndës ndërlidhej me një rast tjetër të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht, Aktgjykimin [Rev. nr. 335/2015] e 14 dhjetorit 2015 dhe i cili më pas, përkatësisht më 9 qershor 2017, ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata në rastin nr. KI22/16.

Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës e që ndërlidhen me një gjykatë të paanshme, Gjykata, ndër të tjera, elaboroj (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me kriteret për vlerësimin e paanësisë së një gjykate; (ii) konceptin e paanësisë subjektive dhe objektive të gjykatës; dhe (iii) praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në aspekt të vlerësimit të paanshmërisë së gjykatës, përkatësisht konceptin e “dyshimeve legjitime” dhe faktit që të njëjtat duhet të jenë “objektivisht të justifikueshme” në mënyrë që të konstatohet paanësia e një gjykate.

Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se Aktgjykimi [Rev. nr. 170/2017] i 23 gushtit 2017 i Gjykatës Supreme është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, sepse (i) përkundër faktit që Kryetare e Kolegjit që nxori Aktgjykimin e kontestuar ishte një gjyqtare kundër së cilës parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kallëzim penal, asnjë provë apo argument tjetër i parashtruesit të kërkesës nuk përmbys prezumimin e paanësisë së gjyqtares përkatëse; dhe për më tepër, (ii) përkundër faktit që pjesëmarrja e gjyqtares përkatëse në Kolegjin e Gjykatës Supreme mund të ketë ngritur dyshime legjitime për paanësinë e gjykatës nga ana e parashtruesit të kërkesës, këto dyshime, në vlerësimin e Gjykatës, nuk janë objektivisht të justifikueshme në kuptimin e testit objektiv për paanësinë e gjykatës.

Rrjedhimisht, Gjykata vlerësoi se kallëzimi penal kundër gjyqtares G. S., dhe i pambështetur nga rrethana dhe argumente tjera, nuk është i mjaftueshëm për të determinuar se gjyqtarja G. S. ka qenë e anshme në kuptimin e testit subjektiv dhe se Kolegji i Gjykatës Supreme që ka nxjerrë Aktgjykimin e kontestuar, të ketë qenë i anshëm në kuptimin e testit objektiv.

Në fund, Gjykata shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatojë se Aktgjykimi [Rev. nr. 170/2017] i  23 gushtit 2017  i Gjykatës Supreme është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Naser Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Penale, Administrative