Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 118/2017, të 10 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI 15/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI15/18, Parashtrues: Fehmi Hasani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 118/2017, të 10 tetorit 2017

KI15/18, i 22 korrikut 2019 , publikuar më 29 gusht 2019

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar,

Parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Limak Kosova” sh. a. në Prishtinë (punëdhënësi). Si pasojë e gjetjes së shkeljeve disiplinore nga ana e menaxhmentit të punëdhënësit, parashtruesit të kërkesës me vendim iu ndërpre marrëdhënia e punës.

Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimin e punëdhënësit, ankohet në gjykatat e rregullta, dhe në fund, Gjykata Supreme refuzon si të pabazuar revizionin e parashtruesit dhe thekson se përbërja e komisionit disiplinor, vendimi i punëdhënësit dhe veprimet e parashtruesit janë të parashikuara me rregulloret përkatëse të punëdhënësit dhe nisur nga kjo, marrëdhënia e punës së parashtruesit ishte ndërprerë sipas rregullave ligjore.

Parashtruesi i kërkesës, duke konsideruar se me vendimet e gjykatave të rregullta i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 21, 24, 31  të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe nenin 54 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 13 të KEDNJ-së dhe nenit 7 të DUDNJ-së, parashtroi dy pretendime kryesore, përkatësisht: (i) se aktgjykimi i Gjykatës themelore përmban shkelje qenësore nga dispozitat e nenit 182 al. 2 pika n, të LPK-së, dhe shkelje tjera si konstatimi i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të drejtës materiale; dhe (ii) ka pësuar trajtim të pabarabartë në raport me dy punëtorët e tjerë, rastet e të cilëve janë kthyer në rigjykim. Lidhur me këtë të fundit, parashtruesi kishte sjellë 2 (dy) aktvendime të Gjykatës së Apelit dhe faqen e parë të 2 (dy) aktgjykimeve të Gjykatës Themelore.

Sa i përket pretendimit të parë, Gjykata i sqaroi parashtruesit se vërtetimi i plotë i gjendjes faktike, si dhe interpretimi dhe aplikimi i ligjeve është në juridiksionin e plotë të gjykatave të rregullta, ndërsa roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të sigurojë respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumentet e tjera ligjore, duke theksuar se vendimet e gjykatave të rregullta kishin arsyetuar vendimet e tyre.

Sa i përket pretendimit të dytë të parashtruesit, Gjykata i sqaroi se nuk do i marrë parasysh vendimet e dy (2) punëtorëve të tjerë, të sjellë nga parashtruesi, për dy arsye: (i) nuk ka vendime të plotfuqishme lidhur me ato raste (ii) parashtruesi i kërkesës vetëm ka bashkëngjitur këto pjesë të vendimeve të gjykatave të rregullta, por nuk ka sqaruar apo argumentuar se si rastet e bashkëngjitura janë të ngjashme apo si krahasohen me rastin e tij.

Si rrjedhojë, Gjykata vendosi që kërkesa e parashtruesit të kërkesës të shpallet qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Fehmi Hasani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar