Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 112/2018, të 7 majit 2018

Nr. të lëndës KI 135/18

Parashtruesit: Hava Simnica

Shkarko:

KI135/18, Parashtruese: Hava Simnica; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 112/2018, të 7 majit 2018

KI135/18, Aktgjykim i miratuar më 19 korrik 2019, i publikuar më 21.08.2019

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë civile, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë e pranueshme, shkelje e nenin 31 të Kushtetutës.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se Gjykata Supreme shkeli të drejtën e saj për barazi para ligjit dhe të drejtën për gjykim të drejtë, duke vendosur në kundërshtim me praktikën e saj gjyqësore në rrethana tërësisht të njëjta sepse: “…për rrethana të njëjta-plotësisht të njëjta tek rasti i jonë ka vendosur krejt ndryshe, duke dhënë edhe arsye krejt ndryshe…” Në mbështetje të pretendimit të saj, parashtruesja, kërkesës së saj ia kishte bashkëngjitur Aktgjykimet e Gjykatës Supreme, Rev. nr. 55/2010, të 18 marsit 2012 dhe Rev. nr. 349/2016, të 11 janarit 2017, dhe pretendoi se rasti i saj duhej vendosur ngjashëm sikur ishte vendosur me këto Aktgjykime.

Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotësonte kushtet e pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe që janë të saktësuara më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës. Pasi vlerësoi në tërësi pretendimet e parashtrueses së kërkesës, Gjykata konsideroi se Gjykatat Supreme nuk kishte arritur të shpjegojë raportin midis fakteve të paraqitura dhe zbatimit të ligjit në fuqi në të cilin ajo është thirrur, gjegjësisht të shpjegojë se në çfarë mënyre ato vijnë në korrelacion me njëra-tjetrën dhe se si kanë ndikuar ato në konkluzionin e Gjykatës Supreme që t’i ndryshojë aktgjykimet e gjykatave të instancës më të ulët dhe të ndryshojë gjithashtu edhe qëndrimin e tyre juridik, sa i përket parashkrimit të objektit të kërkuar me padi, respektivisht të kërkesës për realizimin e rentës mujore, në emër të mbajtjes së humbur (ushqimisë).

Për me tepër, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme, në rastin e parashtrueses së kërkesës, nuk i përmbushi detyrimet e saj, sipas nenit 6.1 të KEDNJ-së, për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm, kur konkludoi se kërkesa e parashtrueses duhej refuzuar si e pabazuar për shkak të parashkrimit të saj sipas ligjit të zbatueshëm, sa kohë që në rastet e mëhershme iu kishte dhënë të drejtë parashtrueseve A. dhe B., për kërkimin e pagesës së rentës mujore në emër të mbajtjes së humbur (ushqimisë).

Si përfundim, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha arsyetimet e shtjelluara më lart konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e parashtrueses për gjykim të drejtë, siç garantohet me nenin 31.1 të Kushtetutës dhe nenin 6. 1 të KEDNJ-së, për shkak se arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me praktikën gjyqësore të vetë Gjykatës Supreme. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk ka respektuar standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Parashtruesit:

Hava Simnica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile