Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 304/2018, të 13 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 61/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI61/19 Parashtrues: Bahrije Baftiu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 304/2018, të 13 nëntorit 2018

KI61/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2019, publikuar më 25 nëntor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile, barazia para ligjit, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesja e kërkesës kontestoi në Gjykatë kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 304/2018, të 13 nëntorit 2018, me të cilin pretendonte se i janë shkelur të drejtat e saj të mbrojtura me nenin 24, 31 dhe 54, në ndërlidhje me nenin 21 të Kushtetutës.

Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 31 dhe 54, në lidhje me nenin 21 të Kushtetutës, Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës pretendonte që gjykatat e rregullta nuk i arsyetuan vendimet e tyre sa i përket zbatimit të nenit 372 të LMD-së, në lidhje me parashkrimin e padisë në kuptim të këtij neni. Në të vërtetë, Gjykata vlerësoi se këto pretendime si të tilla ngrenë çështje të ligjit (ligjshmërisë) të cilat bien në fushëveprimin e gjykatave të rregullta dhe jo të Gjykatës Kushtetuese, sepse shkeljet e pretenduara të të drejtave të mbrojtura me këto dispozita konkrete nuk janë argumentuar dhe ngritur në nivel kushtetues (kushtetutshmërisë).

Sa i përket pretendimit të parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata vërejti se parashtruesja kishte përmendur disa vendime të gjykatave të rregullta, duke pretenduar se në rrethana identike gjykatat e rregullta kanë vendosur ndryshe. Megjithatë e njëjta nuk ia ka bashkëngjitur ato vendime, si dëshmi, kërkesës së saj. Andaj, Gjykata rikujtoi se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Për këto arsye Gjykata nuk i mori për bazë pretendimet e parashtrueses së kërkesës përkitazi me shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, respektivisht pretendimin për trajtimin ndryshe të rastit të saj me raste të tjera identike për shkak se në këtë aspekt kërkesa nuk është e mbështetur me prova materiale.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës duhet deklaruar qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, sepse argumentet e ngritura në kërkesë në asnjë mënyrë nuk i arsyetojnë pretendimet e saj për shkelje të neneve 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 21 të Kushtetutës.

 

Parashtruesit:

Bahrije Baftiu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile