Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së 4 aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të nxjerra ndërmjet 26 marsit dhe 10 tetorit 2018

Nr. të lëndës KI 02/19, KI 03/19, KI 04/19 dhe KI 05/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI02/19, KI03/19, KI04/19 dhe KI05/19, Parashtrues: Halil Mustafa dhe 3 të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së 4 aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës të nxjerra ndërmjet 27 korrikut 2011 dhe 14 tetorit 2013

Halil Mustafa (KI02/19), Zeqir Rexhepi (KI03/29), Remzi Rushiti (KI04/19), Hasan Geci (KI05/19), Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 20 qershor 2019, publikuar me 17 korrik 2019

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, “Ngritja e Zërit”, dëmet e luftës, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Dega në Skenderaj, kundër Qeverisë së Serbisë, për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial që iu shkaktua atyre gjatë luftës.

Gjykatat e rregullta u shpallën jokompetente për të vendosur në këtë çështje dhe në fund, Gjykata Supreme duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kishte arsyetuar se për këto raste vlejnë normat e së drejtës ndërkombëtare, për të cilat konteste gjykatat e vendit nuk janë kompetente për të vendosur, por kompetente në këtë çështje juridike është gjykata në territorin e së cilës ndodhet selia e Kuvendit të Serbisë.

Parashtruesit e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretenduan se u janë shkelur të drejtat e tyre të parapara me Kushtetutë, përkatësisht nenet 21, 22, 53 dhe 54. Parashtruesit e kërkesës kishin tri kategori të pretendimeve kryesore: (i) zbatimin e parimit “per loci” [ratione loci] (ii) detyrimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe (iii) të drejtën e tyre për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për qasje në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, arsyetoi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve dhe interpretimeve të parashtruara nga parashtruesit e kërkesës dhe atyre iu është dhënë mundësia që në të gjitha fazat e procedurës të paraqesin argumentet dhe interpretimet ligjore të cilat i konsiderojnë të rëndësishme për rastet e tyre. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu rikujtoi dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në disa raste ku janë potencuar barrierat procedurale që imponon parimi i imunitetit sovran të shteteve në raport me procedurat gjyqësore që mund të zhvillohen kundër një shteti në gjykatat e brendshme të një shteti tjetër. Gjykata, po ashtu, e konsideroi të rëndësishme të theksojë faktin se gjykatat e rregullta të Kosovës nuk kanë gjykuar mbi të drejtën e parashtruesve të kërkesës për të kërkuar kompensimin e dëmit, por vetëm lidhur me kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës për të zhvilluar procedurë kundër një shtetit tjetër.

Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohen të papranueshme, ndërsa në njërën kërkesë (KI05/19) konstatoi se ajo është dorëzuar jashtë afatit ligjor.

Parashtruesit:

Halil Mustafa dhe 3 të tjerë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile