Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së 3 (tri) aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të nxjerra ndërmjet 10 shtatorit dhe 18 tetorit 2018

Nr. të lëndës KI 177/18, KI 182/18 dhe KI 191/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI177/18, KI182/18 dhe KI191/18, Parashtrues: Rrahman Halili, Gani Bekteshi dhe Xhevat Shala, Vlerësim i kushtetutshmërisë së 3 aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të nxjerra ndërmjet 10 shtatorit dhe 18 tetorit 2018

 KI177/18, KI182/18 dhe KI191/18, Aktvendim i 14 majit 2019, publikuar më 7 qershor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesës qartazi e pabazuar

Parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Dega në Skenderaj, kundër Qeverisë së Republikës së Serbisë, për kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale që iu shkaktuan atyre gjatë luftës, ndërmjet viteve 1998 dhe 1999.

Gjykatat e rregullta u shpallën jokompetente për të vendosur në këtë çështje dhe, në fund, Gjykata Supreme duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kishte arsyetuar se për këto raste vlejnë normat e së drejtës ndërkombëtare, për të cilat konteste gjykatat e vendit nuk janë kompetente për të vendosur, por kompetente në këtë çështje juridike është gjykata në territorin e së cilës ndodhet selia e Kuvendit të Republikës së Serbisë. Parashtruesit e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretenduan se u janë shkelur të drejtat e tyre të parapara me Kushtetutë, përkatësisht nenet 21, 22, 53 dhe 54, dhe nenin 6 i KEDNJ-së, si dhe neni 15 I DUDNJ-së. Parashtruesit e kërkesës kishin tri kategori të pretendimeve kryesore: (i) zbatimin e parimit “per loci” [ratione loci] (ii) detyrimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe (iii) të drejtën e tyre për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për qasje në drejtësi.

 

Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës arsyetoi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve dhe interpretimeve të parashtruara nga parashtruesit e kërkesës dhe atyre iu është dhënë mundësia që në të gjitha fazat e procedurës të paraqesin argumentet dhe interpretimet ligjore të cilat i konsiderojnë të rëndësishme për rastet e tyre. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu rikujtoi dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në disa raste ku janë potencuar barrierat procedurale që imponon parimi i imunitetit sovran të shteteve, në raport me procedurat gjyqësore që mund të zhvillohen kundër një shteti në gjykatat e brendshme të një shteti tjetër. Gjykata, po ashtu, e konsideroi të rëndësishme të theksojë faktin se gjykatat e rregullta të Kosovës nuk kanë gjykuar mbi të drejtën e parashtruesve të kërkesës për të kërkuar kompensimin e dëmit, por vetëm lidhur me kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës për të zhvilluar procedurë kundër një shtetit tjetër. Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohen të papranueshme.

Parashtruesit:

Rrahman Halili, Gani Bekteshi dhe Xhevat Shala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Penale