Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën C. nr. 0355/2011

Nr. të lëndës KI 109/17

Parashtruesit: Ejup Koci

Shkarko:

KI 109/17, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën C. nr. 0355/2011

KI 109/17, parashtrues Ejup Koci

Aktvendim për Papranueshmëri i datës 30 majit 2018

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, tejzgjatje e procedurave, qartazi e pabazuar

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurave përkitazi me gjykimin e lëndës C. nr. 0355/2011 në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesi pretendonte shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejt i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] si dhe me nenin 6 (E Drejta për Gjykim të Drejtë) në lidhje me nenin 13 (E Drejta për Mjete Juridike) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më saktësisht, ai pretendonte se padia e tij nuk është zgjidhur nga gjykatat e rregullta për më tepër se 7 vite dhe se e njëjta është akoma në pritje në Gjykatën e Apelit. Kjo situatë, sipas tij, përbënte shkelje të të drejtës së tij për një vendim përfundimtar në një kohë të arsyeshme.

Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi kërkesën e parashtruesit dhe iu përgjigj argumenteve të tij për tejzgjatje të procedurave duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë drejtim, Gjykata i shqyrtoi të katër  kriteret që shërbejnë për të vlerësuar se a ka pasur tejzgjatje të procedurës në një rast konkret apo jo, përkatësisht (i) kompleksitetin e rastit; (ii) sjelljen e parashtruesit të kërkesës; (iii) sjelljen e autoriteteve relevante; dhe (iv) çfarë ishte në pyetje për parashtruesin e kërkesës në rastin konkret.

Pas analizimit të të gjitha kritereve, Gjykata erdhi në përfundim se gjykatat e rregullta që nga momenti i vënies në lëvizje të tyre ishin aktive në gjykimin e çështjes dhe, rrjedhimisht, nuk kanë shkaktuar tej zgjatje të paarsyeshme të procedurës. Gjykata, në fund, konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkelje të të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ, respektivisht të drejtën për gjykim të drejtë brenda një afati kohor të arsyeshëm, sepse faktet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta ia kanë mohuar atij këtë të drejtë kushtetuese.

 

Parashtruesit:

Ejup Koci

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile