Aktvendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, C. nr. 571/18, të 12 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 67/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI67/19, Parashtruesja e kërkesës: Hajrije Rina Zhitija Ajeti, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, C. nr. 571/18, të 12 nëntorit 2018

KI67/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 5 shtator 2019, i publikuar më 3 tetor 2019

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e parakohshme, mos-shterje e mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme, neni 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së

Parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata Themelore në Ferizaj përmes Aktgjykimit [C.nr.571/18] të 12 nëntorit 2018, kishte zgjidhë martesën në mes të saj dhe bashkëshortit të saj, pa njohurinë e saj.

Parashtruesja e kërkesës e konteston, rrjedhimisht, Aktgjykimin e lartcekur në Gjykatë, duke pretenduar në esencë shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe mospjesëmarrjes në shqyrtim gjyqësor në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Paralelisht me kontestimin e këtij Aktgjykimi në Gjykatë, parashtruesja e kërkesës gjithashtu kishte parashtruar propozim për përsëritje të procedurës pranë Gjykatës së Apelit. Kjo procedurë ende nuk ka përfunduar para Gjykatës së Apelit dhe është e regjistruar me shenjën [AC.nr.1846/19].

Duke marrë parasysh që procedura para Gjykatës së Apelit është ende në shqyrtim, Gjykata duke u bazuar në parimin e subsidiaritetit, parim ky i mishëruar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së, Gjykata e shpalli kërkesën e parashtrueses së kërkesës të papranueshme si të parakohshme, siç përcaktohet përmes paragrafi 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej përmes pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Gjykata theksoi se ajo tashmë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme, duke u dhënë kështu mundësinë gjykatave të rregullta të parandalojnë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe, nëse ka, të korrigjojnë një shkelje të tillë.

 

 

Parashtruesit:

Hajrije Rina Zhitija Ajeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile