Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme – Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës, GSK-KPA-A-211/15

Nr. të lëndës KI 94/18

Parashtruesit: Miodrag Šešlija

Shkarko:

KI94/18, Parashtrues: Miodrag Šešlija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme – Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës, GSK-KPA-A-211/15

KI94/18, Aktvendim për papranueshmëri i 10 prillit 2019, publikuar më 15 maj 2019.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, Aktvendim për papranueshmëri, qartazi e pabazuar 

Parashtruesi në kërkesë pretendoi se KKPK-ja dhe Kolegji i Apelit i AKP-së gabimisht interpretuan dhe zbatuan dispozitat e nenit 11.4. të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2006/50, dhe rrjedhimisht ata nuk kanë mundur t’i shqyrtojnë argumentet dhe provat e tij të cilat i ka paraqitur dhe bashkëngjitur, dhe me të cilat ai provon se i takon e drejta mbi pronën lëndore.

Parashtruesi i kërkesës më tej pretendoi se me këtë qëndrim KKPK-ja dhe Kolegji i Apelit i AKP-së i kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe të drejtat e përcaktuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të KEDNJ-së.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës zhvilloi dy procedura gjyqësore lidhur me pronën lëndore.

Sa i përket procedurës së parë gjyqësore, Gjykata konstatoi se ajo filloi në vitin 2005, dhe përfundoi më 26 mars 2007, kur lënda e kontestit të parashtruesit të kërkesës ishte zgjidhur me vendim të formës së prerë HPCC/REC/94/2007. Me atë vendim, parashtruesit të kërkesës iu dha një formë shpërblimi, të cilën ai mund ta realizojë si parashtrues i kategorisë C, sipas nenit 4 të Rregullores së UNMIK-ut 2000/60.

Gjykata më tej vërejti se parashtruesi i kërkesës e inicioi procedurën e dytë gjyqësore më 23 nëntor 2007, kur e paraqiti kërkesën në AKP, me të cilën kërkoi vërtetimin e së drejtës në shfrytëzim të pronës së paluajtshme, përkatësisht banesën. Gjykata konkludon se procedura e dytë gjyqësore përfundoi më 21 shkurt 2018, me Aktgjykimin e Kolegjit të Apelit të AKP-së, GSK-KPA-A-211/15, me të cilën kërkesa e parashtruesit u refuzua si e pabazuar.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ofroi argumente relevante që do të arsyetonin pretendimet e tij se në procedurën e dytë gjyqësore ishin shkelur në ndonjë mënyrë të drejtat kushtetuese në të cilat ai ishte thirrur, përveç se ai ishte i pakënaqur me rezultatin e procedurave në të cilat u mor vendimi dhe aktgjykimi i kontestuar.

Prandaj, kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, dhe si e tillë duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Miodrag Šešlija

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile