Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit, nr. 64/04 të Agjencisë së Regjistrimit Civil, të 13 qershorit 2018

Nr. të lëndës KI 108/18

Parashtruesit: Blerta Morina

Shkarko:

KI108/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 64/04 të Agjencisë së Regjistrimit Civil, të 13 qershorit 2018

 KI108/18, parashtrues i kërkesës: Blerta Morina

Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2019, publikuar më 1 tetor 2019

Fjalët kyqe: Kërkesa individuale, kërkesë e parakohshme, e drejta për jetë private, të drejtat e personave transgjinor

 Kërkesa është parashtruar nga Blerta Morina. Pa paragjykim të meritave të rastit para gjykatave të rregullta, Gjykata Kushtetuese, në bazë të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për sa i përket personave transgjinor, iu referua parashtruesit të kërkesës në gjininë mashkullore, duke respektuar kështu vetidentifikimin e tij me atë gjini.

Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Agjencisë së Regjistrimit Civil përmes së cilit ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për ndërrim ligjor të emrit nga “Blerta” në “Blert” dhe ndërrim ligjor të shënuesit të gjinisë nga gjinia femërore “F” në gjininë mashkullore “M”. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se Agjencia e Regjistrimit Civil i ka shkelur atij të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 36 [E drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e të drejtës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përveç kësaj, kërkesë kryesore procedurale e parashtruesit të kërkesës para Gjykatës Kushtetuese, ishte që ai të lirohet nga detyrimi për të shteruar mjetin juridik të përcaktuar me ligj, përkatësisht “padinë për konflikt administrativ”, në rrethanat e rastit të tij.

Në vlerësim të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata fillimisht artikuloi (i) parimet e përgjithshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Kushtetuese për sa i takon shterimit të mjeteve juridike (shih paragrafët 148-159 të Aktvendimit); dhe, më pas, të njëjtat i (ii) aplikoi në rrethanat e rastit konkret (shih paragrafët 160-191 të Aktvendimit). Aplikimi i parimeve në fjalë dhe zbatimi i testeve të krijuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të përbrendësuara nga Gjykata Kushtetuese, e shpie këtë të fundit në vendimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për lirim nga detyrimi për shterim të mjetit juridik të përcaktuar me ligj, duhet të refuzohet dhe për rrjedhojë, kërkesa KI108/18 duhet të deklarohet e papranueshme si e parakohshme.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e një mjeti juridik efektiv në rrethanat e rastit të tij dhe duke marrë parasysh “rrethanat e veçanta” të parashtruesit të kërkesës, Gjykata shqyrtoi specifikisht nëse padia për konflikt administrativ është efektive dhe mjaftueshëm e sigurt përtej teorisë edhe në praktikë. Siç është shtjelluar në këtë Aktvendim, në determinimin e efektivitetit dhe sigurisë së mjaftueshme të një mjeti juridik në praktikë, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktika gjyqësore relevante për rrethanat e rastit në shqyrtim, është e një rëndësie të veçantë. Në këtë aspekt, Gjykata Kushtetuese mori parasysh që Gjykata Themelore, pranë të cilës ishte në pritje edhe padia për konflikt administrativ e parashtruesit të kërkesës, veçse kishte praktikë relevante gjyqësore, përmes të cilës, në rrethana të ngjashme, kishte miratuar kërkesën e një personi tjetër transgjinor për ndërrim ligjor të emrit dhe ndërrim ligjor të shënuesit të gjinisë nga “F” në “M”. Vendimi i Gjykatës Themelore ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Gjykatat e rregullta ishin thirrur në Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kishin urdhëruar organet përkatëse që korrigjimet në fjalë t’i bëjnë në librat e regjistrimit civil.

Në dritë të këtyre rrethanave, Gjykata konstatoi se padia për konflikt administrativ është “efektive” dhe “mjaftueshëm e sigurt në teori dhe në praktikë”, dhe se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta, ky mjet juridik “është në gjendje të ofrojë zgjidhje” përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë si dhe të “ofrojë mundësi të arsyeshme për sukses”.

Në të tilla raste kur efektiviteti i një mjeti juridik, përtej teorisë, konfirmohet edhe në praktikë përmes praktikës relevante gjyqësore, Gjykata, bazuar në parimin e subsidiaritetit, nuk mund t’ua marrë gjykatave të rregullta kompetencën e tyre kushtetuese për të vendosur mbi pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të mundshme të neneve të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Do të ishte në kundërshtim të plotë me frymën subsidiare të mekanizmit të kontrollit kushtetues nëse Gjykata do të deklaronte një mjet juridik joefektiv kur në fakt i njëjti e ka dëshmuar efektivitetin e tij në praktikë. Respektimi i parimit të subsidiaritetit kërkon pikërisht lejimin e rrugës dhe hapësirës së nevojshme për gjykatat e instancave më të ulëta që ta kryejnë detyrën e tyre për zbatim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në rast se ato dështojnë në këtë detyrë, Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje nga palët respektive në përputhje me juridiksionin e saj.

Në fund të Aktvendimit të saj, Gjykata po ashtu theksoi se deklarimi i kërkesës KI108/18 si të parakohshme në vetvete nënkupton që parashtruesi i kërkesës e ka të garantuar me Kushtetutë dhe dispozitat përkatëse të Ligjit dhe Rregullores së punës së Gjykatës, mundësinë që t’i drejtohet sërish asaj me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimeve të autoriteteve publike, qoftë të veprimeve apo mosveprimeve të tyre, e të cilat ai mund të pretendojë se konsistojnë në shkelje të ndonjë të drejte apo lirie themelore të garantuar me Kushtetutë, Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo edhe instrumente të tjera ndërkombëtare të garantuara me Kushtetutë.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka plotësuar kriterin e pranueshmërisë së shterimit të mjeteve juridike të përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Krejt në fund, Gjykata e adresoi edhe kërkesën e parashtruesit për kompensim të dëmit jomaterial në vlerë prej 5,000.00 € për shkak të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Këtë kërkesë të parashtruesit, Gjykata e refuzoi për faktin se kërkesa KI108/18 u shpall e papranueshme në baza procedurale si dhe për faktin se Gjykata nuk ka autorizim që të akordojë “shpërblim të drejtë” apo “dëmshpërblim”, siç një të drejtë të tillë e ka Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në pajtim me nenin 41 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rregullin 60 të Rregullores së saj të punës.

Parashtruesit:

Blerta Morina

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative