Aktvendim

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-1-16-0038, të 2 majit 2019

Nr. të lëndës KI 99/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI99/19, Parashtruesja e kërkesës: Persa Raičević, kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-1-16-0038 të 2 majit 2019  

KI99/19, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, publikuar më 24 dhjetor 2019 

Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, e drejta e pronës, qartazi e pabazuar në baza kushtetuese

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përmes të cilit, sipas pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], 156 [Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur Brenda Vendit] të Kushtetutës, si dhe të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së; nenet 1, 2 dhe 8 të Kartës Sociale Evropiane; dhe nenin 11 të Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas.

Parashtruesja e kërkesës ndërtoi pretendimet e saj bazuar në të drejtat dhe liritë themelore të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar në esencë se (i) njoftimi të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit për paraqitjen e kërkesave; (ii) Aktvendimi [PEJ139-01330] i 16 korrikut 2013 të Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit; dhe (iii) Aktvendimi i [AC-1-16-0038] i 3 majit 2019 të Kolegjit të Apelit në lidhje me Aktgjykimin [C-IV-13-1641] e 9 tetorit 2015 të Kolegjit të Specializuar, ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e aplikueshëm.

Gjykata në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, së pari sqaroi se (i) parashtruesja e kërkesës kishte ngritur pretendime që bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, hyjnë në fushën e ligjshmërisë dhe jo kushtetutshmërisë, dhe rrjedhimisht, në parim, Gjykata nuk mund të i shqyrtoj ato; (ii) procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, nuk ishin të padrejta apo arbitrare dhe se vendimet e tyre kishin trajtuar dhe arsyetuar të gjitha pretendimet e parashtrueses së kërkesës; dhe (iii) pretendimet tjera të parashtrueses së kërkesës përkitazi me shkelje kushtetuese dhe të instrumenteve ndërkombëtare të garantuara me Kushtetutë, nuk ishin të arsyetuara dhe se vetëm përmendja e tyre para Gjykatës nuk mund të rezultoi në pretendime të argumentueshme për shkelje kushtetuese.

Gjykata përfundimisht theksoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesja e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ajo, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ishte dëshmuar dhe as nuk ishte mbështetur mjaftueshëm se Aktvendimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit ishte nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rezultuar kështu në kërkesë të papranueshme para Gjykatës, si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe paragrafin (2) të rregullit 39  të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Persa Raičević

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile