Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 216/2018, të 4 korrikut 2018

Nr. të lëndës KI 133/18

Parashtruesit: Mehdi Selmani dhe të tjerët

Shkarko:

KI133/18, Parashtruesi i kërkesës Mehdi Selmani dhe të tjerët, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 216/2018 të 4 korrikut 2018.

KI133/18, Aktvendim për papranueshmëri i 27 nëntorit 2018, publikuar më 27.02.2019 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjykatë e shkallës së katërt

Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë në bazë nenit 113.7 të Kushtetutës, neneve 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullit 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Parashtruesit e kërkesës kërkuan vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se të gjithë parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

Megjithatë, në rastin konkret, Gjykata vërejti se parashtruesit e kërkesës, përkundër faktit që ata kishin deklaruar në kërkesën e tyre se të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese ishin shkelur, nuk kishin shpjeguar me asnjë fjali apo paragraf, se kush ua ka shkelur të drejtat kushtetuese, në çfarë mënyrë dhe si i sjellin ato në lidhje me vendimet e gjykatave.

Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën e parashtruesve, konstatoi se gjykatat e rregullta në rastin konkret arsyetuan mjaftueshëm vendimet e tyre, dhe një arsyetim i tillë nuk konsiderohej arbitrar nga Gjykata. Gjykata po ashtu thekson se parashtruesit e kërkesës nuk ofrojnë asnjë argument për të arsyetuar pretendimet e tyre se në ndonjë mënyrë ka ardhur deri te shkelja e të drejtave të tyre për gjykim të drejtë, përveç se ata janë të pakënaqur me rezultatin e procedurës konkrete.

Prandaj, Gjykata konstatoi se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesit e kërkesës nuk tregon se procedurat në gjykatat e rregullta ishin të padrejta apo arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se parashtruesve të kërkesës u është mohuar ndonjë garanci procedurale, që do të çonte në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, përkatësisht nenin 6 të KEDNJ-së.

Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta në vendimet e tyre në asnjë moment nuk prekën, dhe as nuk u morën me çështjen e të drejtës së punës së parashtruesve të kërkesës, apo të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga e drejta e punës. Më konkretisht, gjykatat nuk morën vendime me të cilat parashtruesve të kërkesës në ndonjë mënyrë ua mohuan ose i ndaluan të punojnë ose ushtrojnë profesionin e tyre, ose në ndonjë mënyrë u pamundësuan atyre të ushtrojnë të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës.

Prandaj, Gjykata i gjeti si të pabazuara pretendimet e parashtruesve për shkelje të nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.

Gjykata në fund arriti në përfundimin se nuk mund të veprojë si “gjykatë e shkallës së katërt”.

Parashtruesit:

Mehdi Selmani dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile