Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 225/2017, të 18 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 34/18

Parashtruesit: Albert Berisha

Shkarko:

Rasti nr. KI34/18, Parashtrues i kërkesës: Albert Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 225/2017, të 18 dhjetorit 2017

KI34/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 majit 2018, i publikuar më 18 qershor 2018

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, “gjykatë e shkallës së katërt”

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Në ankesën e tij para Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës pretendoi se atij i ishte mohuar e drejta për gjykim të drejtë sepse dënimi ishte bazuar në vlerësim të gabuar të fakteve. Gjykata e Apelit refuzoi pretendimet ankimore të parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi paraqiti kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë për shkak të shkeljes së parimit të barazisë së armëve.

Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën e parashtruesit për mbrojtjen e ligjshmërisë si të pabazuar, veçanërisht sepse dëshmitarët që parashtruesi kishte kërkuar që të ftoheshin  ishin persona zyrtar, dëshmia e të cilëve ishte e përfshirë në dosje të rastit.

Në kërkesën e tij para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë. Parashtruesi pretendoi  se  e drejta e tij për të heshtur është shkelur sepse dëshmitë e tij të dhëna gjatë fazës hetimore janë përdorur kundër tij. Për më tepër, ai ankohet se e drejta e tij për barazi të armëve është shkelur pasi ai nuk u lejua që të ftoj disa dëshmitar specifik. Ai gjithashtu pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta nuk janë arsyetuar, dhe në rastin e  tij  nuk janë respektuar parimet e të drejtës në gjykim i drejtë,  dhe rrjedhimisht mbajtja e tij nuk është e bazuar ligjërisht në një vendim të gjykatës kompetente.

Gjykata vlerësoi se aktgjykimet e gjykatave e rregullta janë të arsyetuara si duhet, se deklarata e parashtruesit e dhënë në procedurën paraprake është marrë në mënyrë të ligjshme dhe është provë valide, dhe se parashtruesi i kërkesës ka përfituar nga prezenca e avokatit gjatë intervistës para zyrtarëve policor.

Sa u përket pretendimeve të parashtruesit lidhur me shkeljen e nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës është dënuar nga një “gjykatë kompetente”, e cila ka kryer një „procedurë gjithëpërfshirëse“, e cila ka rezultuar me vërtetimin e përgjegjësisë penale.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës nuk tregon që procedurat në gjykatat e rregullta ishin të padrejta apo arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se thelbi i së drejtës për  një gjykim të drejtë dhe të paanshëm është shkelur ose që parashtruesi është privuar nga çdo lloj garancie procedurale, gjë që do të çonte në shkelje të së drejtës sipas nenit 31 të Kushtetutës  paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.  Për më tepër, Gjykata më tej konsideron se nuk mund të veprojë si „gjykatë e shkallës së katërt“ për të rishikuar provat dhe deklarohet në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e parashtruesit.

Lidhur me këtë, Gjykata e shpalli kërkesën e parashtruesit qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe e deklaroi të papranueshme në pajtim me rregullin 36 (1) d) dhe (2) (d) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Albert Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale